MEDIA

Marca/PrintScreen
Princi i golave
1 December, 2013 @12:51
Me Cristiano Ronaldon shikues në tribuna të Santiago Bernabeut për shkak të lëndimit, Gareth Bale i ka dalë në krye Real Madridit për të shënuar hat-trickun e parë të tij prej se u transferua me dëmpshpërblim rekord botëror prej 100 milionë eurove.
“Jam i bindur se Bale është lojtar i rëndësishëm për ne. Ai ka luajtur shumë mirë sot,” ka thënë trajneri italian i Real Madridit, Carlo Ancelotti për mediat spanjolle, transmeton sot e përditshmja Marca.
Për më tepër ai është quajtur edhe Princi i Golave nga kjo gazetë duke e zënë tërë ballinën e saj duke festuar golin në mënyrën e tij karakteristike.
Ajo që e bën edhe më të madhe hat-trickun e tij është se Bale shënoi një gol me kokë, një me të djathtën e të fundit me këmbën e tij dominante, të majtë.
E përditshmja tjetër As, e quajti Princi i Uellsit, derisa Bale u shpreh i kënaqur me arritjen e tij.
“Gjithmonë është kënaqësi të shënosh, e edhe më shumë kur shënon hat-trick, e kjo veçanërisht në Santiago Bernabeu,” ka thënë uellsiani, që ka afruar Real Madridin në vetëm tre pikë drejt kryesuesve të La Ligas, Barcelona dhe Atletico Madrid.