BALLKANI - PRISHTINA
Prishtina ndalet në Suharekë
11 September, 2018 @17:39
Pa fitues u mbyll dueli i sotëm mes Ballkanit dhe Prishtinës në Suharekë, duel në të cilin të dyja skuadrat shënuan nga një herë.
Për t’u veçuar nga pjesa e parë është një shtyllë e goditur nga Besnik Krasniqi i vendasve dhe një gol i anuluar për shkak të pozicionit jashtë loje, gjithashtu i vendasve, ndërsa golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e dytë.
Të parët që realizuan ishin mysafirët përmes Gauthier Mankendas, i cili shënoi pas asistimit nga Ahmeti, e më pas vendasit barazuan përmes futbollistit Blend Baftiu, i cili e konkretizoi mundësinë e tij në minutën e 72’ të ndeshjes. Në vazhdim të ndeshjes gola nuk pati dhe takimi u mbyll me rezultatin përfundimtar 1-1.
Ky është barazimi i parë i Prishtinës sivjet pas dy fitoreve radhazi, ndërsa duhet përmendur që ky ekip ka një takim më pak të zhvilluar. Sa i përket Ballkanit, kjo është pika e katërt sezonale, pikë e cila erdhi në debutimin e trajnerit Sami Sërmaxhaj.
FORMACIONET STARTUESE
Ballkani: Ruxhi, Krasniqi, Potoku, Berisha, Kukaj, Sejdiu, Baftiu, Shabani, Manevski, Emini, Topalli. Kryetrajner: Sami Sërmaxhaj. Prishtina: Bekaj, Thaqi, Bashiru, Dallku, Bekteshi, Ahmeti, Mustafa, Mankenda, Hoxha, Korenica, Khalid. Kryetrajner: Mirel Josa. |