ANALIZË
Fitorja 1
Shkruan: LUAN MORINA
11 September, 2018 @11:10
Ishujt Faroe janë kombëtare që kanë fituar 9 pikë në kualifikimet për Russia2018, aty ku ne fituam vetëm 1 pikë. E vërtetë që kanë pasur ekipe si Letonia e Andorra në grup, por s’ka dyshim që Ishujt Faroe të pesë viteve të fundit nuk ngjanë aspak në Ishujt Faroe të para 15-20 viteve. Kështu dukeshin të hënën kundër Kosovës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Ndeshja e parë në stadiumin tonë kombëtar kaloi mirë, me një kulturë sportive për mësysh. Mund të themi që kaluam një sfidë të vështirë organizative, e cila u madhështua nga fitorja e parë në një garë zyrtare e kombëtares tonë.
ORARI I NDESHJEVE, TABELAT dhe GRUPET
Një notë goxha pozitive është strategjia e Bernard Challandes, i cili po bën gjëra goxha të mençura me ekipin tonë. Së pari, për dallim prej ndeshjes në Baku, selektori ynë vendosi Kolollin në të majtë, derisa angazhoi me detyra më defensive edhe Kryeziun edhe Shalën. Kishte raste kur të dy vendoseshin në linjë me Rrahmanin e Alitin, që u mundësonte dyfishimin e krahëve, sidomos në çastet e para të pjesës së dytë të lojës.
Edhe një herë pamë aftësinë e Kryeziut për të udhëhequr ekipin, ngjashëm si në Azerbajxhan. Topat e tij të gjatë, lëvizjet e tij në mbulimin e pjesës qendrore dhe defensive të ekipit të kujtonin emra të mëdhenj që kanë luajtur në këtë pozitë. Shumë më i mirë se në Baku ishe edhe Shala. Mbrëmë ai ishte shumë më i kompozuar, më gjakftohtë, dhe përshtatej me detyrat që kishte.
ORARI I NDESHJEVE, TABELAT dhe GRUPET
Diçka që na ka lënë mbresa ndeshjeve të fundit është angazhimi i treshes ‘gjysmë-sulmuese’ në detyrat e mbrojtjes. Edhe Rashica edhe Zeneli nuk hezitonin të ktheheshin për të ndihmuar krahët, sidomos Avdijaj i cili kthehej në kërkim të topit edhe në pozitën e mesfushorëve qendror.
Pjesa e parë u mor me kujdes, duke mos dashur të rrezikojnë. Pak gjuajtje, shumë harkime. Depërtimet e Vojvodës e Kolollit, në anën e kundërt të harkimit duhej të ishin më të shumta. Nuhiu bëri punë të mirë me këmbë. Goli i tij dëshmon karakterin e krejt ekipit – nuk dorëzoheshim me të humbur posedimin e topit. Ishte një angazhim deri në fund. Me një qasje të këtillë ndaj lojës dhe me gjakftohtësi sikur mbrëmë, mund të arrijmë në Ligën C.
ORARI I NDESHJEVE, TABELAT dhe GRUPET
Goli i Zenelit dëshmoi një armë tjetër që kanë krahët sulmues të ekipit tonë – individualitetin! Përkundër kësaj, tërë ekipi shfaqi lojë ekipore me pasime të shkurtra në të dy krahët e sulmit. Po t’u jepet edhe më shumë liri dhe përkrahje pa top krahëve, do të shohim edhe më shumë kreativitetin e tyre.
Fitorja ndaj Ishujve Faroe, mbi të gjitha mënyra e lojës premton shumë. Tash vjen Malta, e cila duhet respektuar, sidomos me barazimin ndaj Azerbajxhanit. Edhe katër pikë në tetor, me udhëtimin në Ishujt Faroe, dhe gati jemi me një këmbë në Ligën C, dhe aty ku duhet të jemi – në mesin e dyzet ekipeve më të mira në Evropë.
Mbrëmë ka qenë kënaqësi e përgjithshme, si në fushë, si në tribuna!