RIKTHIMI I MADH

Prishtina zyrtarizon Mazrekajn
25 July, 2017 @15:07
Duke e quajtur si rikthim në shtëpi, nënkampionja e Kosovës, Prishtina, ka zyrtarizuar mesfushorin këmbëshpejtë të Partizanit të Tiranës, Mentor Mazrekaj, sot si lojtar të ri të saj.
Mazrekaj aktualisht 28 vjeç i kthehet Prishtinës pas katër viteve të bujshme të kaluara në Kategorinë Superiore të Shqipërisë për ekipin e kuq të Tiranës.
“Jam kthyer në shtëpi. Në klubin ku jam rritur dhe afirmuar. Dua të rikthejmë titullin dhe kjo është arsyeja e vetme pse jam kthyer te ekipi im,” ka thënë Mazrekaj në deklaratën e tij të parë zyrtare si lojtar bardhekaltër.
Kujtojmë, Prishtina për herë të fundit e ka fituar titullin kampion të Kosovës në stinorin që Mentor Mazrekaj ka derdhur djersë për bardhekaltërit, 2012/13. Prej këtij stinori e tutje, Prishtina nuk është shpallë kampion i Kosovës asnjëherë.
Rroga e Mazrekajt thuhet të jetë 40 mijë euro në vjet, që e bën atë lojtarin më të paguar në Superligë, ka shkruar gazetari i Supersportit, Arlind Sadiku në profilin e tij të Facebookut sot, pasi që Prishtina e zyrtarizoi mesfushorin.