ANEL RASHKAJ
Rashkaj kërkon skuadër të re
23 November, 2014 @16:20
Aventura tre vjeçare e Anel Rashkajt në skuadrën norvegjeze, Sandnes Ulf, ka marrë fund.
Mesfushori qendror ka filluar të mendojë për skuadrën e re, me të cilën pritet të nënshkruaj kontratë në afatin kalimtar të janarit.
Në një prononcim për të përditshmen sportive Sport Plus, Rashkaj ka treguar se tashmë është kthyer në Suedi te familja e tij dhe se synimi i tij do të jetë një skuadër nga shtetet e Europës Qendrore.
“Tash shpresoj të gjej një klub të ri. Ka fjalë të ndryshme, por nuk iu besoj shumë. Nivelin në të cilin kam luajtur, nuk më mundëson të shkoj në ndonjë ligë të fortë, por ideale do të kishte qenë Austria, Zvicra, Polonia apo ndonjë vend tjetër. Të shohim si do të rrjedhin gjërat,” ka thënë Rashkaj për Sport Plus.
Organizator i lojës te përfaqësuesja e Kosovës në të vërtetë ka kontratë me ekipin e tij deri në janar të vitit 2015, mirëpo pasi që kampionati në Norvegji tashmë ka përfunduar, ai me marrëveshje me klubin ka marrë statusin e lojtarit të lirë.
Përveç tij, nga kjo skuadër është larguar edhe qendërmbrojtësi nga Kosova, Avni Pepa, i cili po ashtu është në kërkim të një skuadre të re.