ARSENALI SIGURON ÇEREKFINALEN PAS PENALLTIVE
Raya hero i penalltive, Arsenal në çerekfinale pas 14 vitesh
12 March, 2024 @23:57
Pas 14 vitesh Arsenal ka siguruar për herë të parë çerekfinalen e Ligës së Kampionëve! Topçinjtë sonte mposhtën Porton portugeze pas penalltive, në një ndeshje dramatike, derisa në kohë të rregullt rezultati ishte i njëjtë sikurse në Portugali, 1-0! Dhe me 1-1 të përgjithshme ndeshja shkoi në vazhdime. Pasi që as aty s’u tundën rrjetat - penalltitë u desht të vendosin çerekfinalistin e gjashtë me radhë për stinorin 2023/24 të Ligës së Kampionëve.
E aty, portieri spanjoll i Arsenalit David Raya tregoi veten duke mbrojtur një penallti të kundërshtarit, që më parë kishte gabuar në një tjetër për të fituar duelin 4-2 me 11-metërsha dhe për të siguruar tetëshen më të mirë të garës më prestigjioze të futbollit evropian. Gëzim i madh u vërejt në “Emirates” derisa pos tribunave festë e madhe u bë edhe në stafin e ekipit që arriti të thyejë barrierën e ndalesave në të tetën e finales së garës.
Belgu Leo Trossard shënoi për Arsenalin (41’) për 1-0, që barazoi duelin me rezultat të përgjithshëm. Ndërsa luftë e madhe u zhvillua për tu siguruar kalimi tutje në pjesë të dytë, por Portoja e Sergio Conceiçaos nuk dorëzohej me përvojën e Pepes në mbrojtje. Krejt kjo, deri në ekzekutim të penalltive, ku Wendell qëlloi shtyllën, ndërsa topi i Galenos u mbrojt nga Raya.
Te Arsenali të gjithë shutuesit e penalltive ishin të saktë, ndërsa Bukayo Saka shënoi penallti maestrale. Pos tij, Odegaard, Havertz dhe Rice i fundit - siguruan golat që dhanë biletën për TOP-8 të Championsit.
NOTAT E FUTBOLLISTËVE (via EuroSport):
ARSENAL: Raya 9, White 6, Gabriel 6, Saliba 6, Kiwior 7, Jorgiho 6, Rice 7, Odegaard 8, Saka 5, Havertz 5, Trossard 6. Rez: Jesus 6, Nketiah 6, Zinchenko 6.
PORTA: Diogo Costa 6, Joao Mario 7, Pepe 8, Otavio 8, Wendell 8, Varela 7, Nico gonzalez 7, Pepe 7, Conceicao 6, Evanilson 7, Galeno 6. Rez: Sanchez 6, Taremi 6, Grujic 6, Eustaquio 6, Borges 6.