NDAJNË RRUGËT!
Tre humbje radhazi janë të tepërta për Bayernin! Tuchel do të largohet
21 February, 2024 @11:13
Një njoftim zyrtar në fcbayern.com sot ka bërë të ditur se Bayern Munich dhe Thomas Tuchel do të ndërprejnë bashkëpunimin në fund të këtij stinori. Kontrata e Tuchelit me Bayernin ishte deri më 30 qershor të vitit 2025, mirëpo pas ecurisë së rezultateve negative, Bayern ka arritur marrëveshje me trajnerin që të ndahen më 30 qershor 2024.
“Në një diskutim të hapur, të mirë, kemi marrë vendim që të ndërprejmë bashkëpunimin me marrëveshje këtë verë. Qëllimi është që të nisim stinorin futbollistik me një trajner të ri. Deri atëherë i gjithë klubi do të punojë për të arritur maksimumin e këtij stinori në Bundesligë dhe Ligë të Kampionëve,” ka bërë të ditur Bayern.
Ndërkaq, Tuchel ka pranuar vendimin dhe ka thënë se bashkë me stafin e tij do të bëj maksimumin për të arritur më të mirën e mundshme me ekipin në fushë, deri në fund të këtij stinori. Ai fitoi Bundesligën në stinorin e kaluar me Bayernin, pasi që zëvendësoi Julian Nagelsmannin në detyrë.
Përndryshe, Bayern ka regjistruar tre humbje radhazi në të gjitha garat. Pas dy disfatave në Bundedsligë, ka pësuar edhe nga Lazio në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve. Bavarezët kanë mbetur tetë pikë larg kryesuesve të Bayer Leverkusenit.