LOS BLANCOS
Reali ende shpreson
8 May, 2016 @18:27
Real Madrid është përkujdesur që lufta për titull kampioni në La Liga të jetë e paqartë edhe para xhiros së fundit, që zhvillohet javën e ardhshme.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri Zinedine Zidane, e mposhti me rezultat 3-2 rivalin e fortë, Valencian.
Madrilenët krijuan epërsi prej 2-0 në pjesën e parë me golat e Cristiano Ronaldos dhe Karim Benzemas, ndërsa më pas u ngushtua epërsia me anë të Rodrigos që shënoi në minutën 55’.
Katër minuta më vonë përsëri Ronaldo doli në skenë për 3-1, ndërsa në minutën 81’ Andre Gomes shënoi për 3-2, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i takimit.
Golashënuesi i parë i Valencias, Rodrigo, e la skuadrën e tij me një lojtar më pak në minutën 85’, pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Në javën e fundit Reali do të hyjë nga pozita e dytë, me një pikë më pak se lideri, Barcelona.