KOSOVA
Rexhepi e Hetemaj përforcojnë Kosovën
9 May, 2014 @10:39
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, po mundohet të gjejë zëvendësime të duhura për ta mbuluar hapësirat e zbrazura nga futbollistët që nuk do të mund të jetë pjesë e ekipit për ndeshjet kundër Turqisë dhe Senegalit.
Lojtarë kryesorë të përfaqësueses si Anel Rashkaj, Shpëtim Hasani, Adrian Gashi, Ilir Azemi e të tjerë nuk do të jenë në dispozicion të Bunjakit.
Ndërsa dy emra të rinj që pritet t’i bashkohen ekipit janë sulmuesi Dardan Rexhepi dhe mesfushori Mehmet Hetemaj.
Ardhjen e këtyre dyve e konfirmoi edhe përzgjedhësi Albert Bunjaki për shtojcën sportive të Tribunës, Arena.
Kush është Dardan Rexhepi?
Rexhepi është 22 vjeçar dhe stili i lojës së tij deri diku i ngjason Ilir Azemit, pasi që është i gjatë 191 centimetra dhe luan në qendër të sulmit.
Ai luan në ligën elite të Suedisë me skuadrën Brommapojkarna, ku në tetë ndeshjet e para të fillim stinorit ka realizuar 3 gola dhe dy asistime.
Rexhepi më parë ka qenë edhe reprezentues i përfaqësueses së të rinjëve të Suedisë me grupmoshat U18, U19 dhe U21.
Sulmuesi i lindur në Prishtinë para transferimit në Brommapojkarna, ka luajtur edhe në skuadrën Malmo.
Kush është Mehmet Hetemaj?
Mehmet Hetemaj është vëllau i vogël i mesfushorit të njohur të Chievos dhe reprezentuesit të Finlandës, Përparim Hetemaj. Ai luan në skuadrën finlandeze, Honka, që drejtohet nga trajneri shqiptar, Shefki Kuqi, ndërsa bashkëlojtarë i ka edhe futbollistët e tjerë shqiptarë si Kastriot Kastrati, Armend Kabashi dhe Lum Rexhepi. Ky i fundit ishte pjesë e Kosovës në ndeshjen kundër Haitit.
Mehmeti, i cili erdhi si huazim nga AlbinoLeffe në Honka, po kalon një formë të mirë në ekipin e Shefki Kuqit, duke shënuar një gol dhe një asistim në gjashtë ndeshje sa i zhvilloi deri më tani.
Mesfushori 26 vjeçar më parë ka qenë dy herë reprezentues i Finlandës, ndërse debutimin e tij e kishte bërë më 4 shkurt të vitit 2009 në ndeshjen Japoni - Finlandë, duke u inkuadruar në lojë në fillim të pjesës së dytë.
Ai do të mundohet ta mbulojë hapësirën e zbrazur nga mungesa e mesfushorëve si Adrian Gashi dhe kapiteni Anel Rashkaj.