ARLIND AJETI
Rikthimi në kombëtare pas 4 vitesh
22 March, 2021 @22:39
Ai kishte qenë pjesë e ekipit historik të Shqipërisë që arriti të sigurojë evropianin e parë në histori të futbollit shqiptar.
Tash 27-vjeçar, Arlind Ajeti, pas lëvizjeve të shumta në ekipet italiane e zvicerane, si duket është rehatuar mirë te Reggiana dhe kjo ka bërë që përzgjedhësi Edy Reja ta ftojë atë për ndeshjet e kuqezinjëve kualifikuese për Katar 2022.
Hera e fundit që kishte veshur fanellën kuqezi në fushë ka qenë ndeshja ndaj Spanjës kur Christian Panucci mori drejtimin e skuadrës, ndërsa Shqipëria ishte mposhtur 3-0 nga Spanja me golat e Rodrigos, Iscos dhe Thiagos.
Ajeti është rikthyer. Reja ka arsyetuar ftesën e tij duke thënë se mbrojtësi po bën paraqitje tejet të mira te Reggiana në Serie B, ndërsa lojtari ka zhvilluar 19 ndeshje këtë stinor, duke luajtur mbi 1 mijë e 300 minuta aty dhe duke shënuar edhe një gol!
Por çka thotë Ajeti për rikthimin e tij.
“Më duket që ka kaluar një kohë shumë e madhe, jam shumë i lumtur që rikthehem. Kombëtarja jonë ka pasur gjithmonë një grup të mirë, siç është edhe tani. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe kjo më bën të ndihem akoma më mirë. Kur jemi në kombëtare të gjithë luajmë me zemër dhe japim shpirtin. Ndeshjet që vijnë janë të vështira dhe ne nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar,” ka thënë fillimisht mbrojtësi.
“Ne duhet të japim 100%. Ne jemi profesioniste, e njohim njëri tjetrin, kemi ndeshje në këmbë dhe njohja me njëri-tjetrin na bën më të lehtë dhe pavaresisht kohës së pakët në dispozicion për të përgatitur ndeshjet, jam optimist se do ja dalim.Nuk duhet të nënvlerësojmë kundërshtarin. Edhe Franca me një emër të madh ka pasur vështirësi, e dimë se çfarë na pret dhe duhet të fokusohemi te gjërat që na jep trajneri”, ka përfunduar fjalën e tij Ajeti.
Shqipëria do të zhvillojë 3 ndeshje kualifikuese përgjatë ditëve në vijim. Pas Andorrës më 25 mars, kuqezinjtë në Tiranë presin Anglinë më 28 mars, para se të marrin rrugë drejt San Marinos më 31 mars.