MEDIA TALK
Rize zbret çmimin e Muriqit
17 June, 2019 @11:16
Pas kërkesave të shumta nga Galatasaray, Rizespor ka zbritur kërkesat për transferimin e Vedat Muriqit në drejtim të ekipit nga Stambolli.
E përditshmja sportive turke, Fotomaç ka bërë të ditur se prej 10 milionë eurove sa kërkonte si dëmshpërblim, Rizespor ka zbritur çmimin në 6 milionë euro për sulmuesin në formë të Kosovës.
Galatasaray javën e kaluar ka bërë të ditur se për Muriqin do të ofrojë 3.5 milionë euro të holla dhe maksimalisht edhe një lojtar të tyre në drejtim të Rizes, për të marrë Muriqin.
Negociatat mes klubeve janë duke u zhvilluar dhe pritet të shihet si do të përfundojë lufta mes klubeve të mëdha turke për sigurimin e shërbimeve të sulmuesit nga Prizreni.
Përndryshe, Vedati e kreu stinorin 2018/19 si golashënuesi i dytë më i mirë i Superligës turke, duke shënuar 17 gola, prej të cilave edhe ekipeve të mëdha si Galatasaray, Fenerbahçe e Besiktas.
Kalimi në Galatasaray do të ishte një përvojë krejt e re për Muriqin, pasi që ekipi turk si kampion i vendit ka siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.