ALBAN SHILLOVA
Ndërron petkun në kryeqytet
16 June, 2019 @13:59
Njëri ndër golashënuesit më të mirë të stinorit 2018/19 në Superligë të Kosovës, është bërë lojtar i Prishtinës për 2019/20.
Prishtina ka zyrtarizuar transferimin e ri në skuadër, Alban Shillovën, i cili ka kryer sezonin me 11 gola të shënuara në Superligë, duke përfunduar i katërti në renditje të golashënuesve, pas Kastriot Rexhës, Ahmed Januzit dhe Festim Alidemës, e bashkë me Jetmir Topallin e Meriton Korenicën që kishin shënuar sa ai.
Shillova ka pasur stinor shumë të mirë te Flamurtari dhe u dallua mjaft në nismën e mirë të stinorit për kuqezinjtë e Prishtinës, duke u bërë kështu transferi i parë prej Flamurtarit te Prishtina pas shtatë vitesh. Liridon Latifi ka qenë transferi i fundit që Prishtina e ka bërë nga Flamurtari.
Shillova në karrierën e tij ka luajtur për KEK-un, Fushë Kosovën, Bylisin, Dritën, Lirinë dhe Vllazninë e Pozharanit para se të bëhej pjesë e Flamurtarit.
“Kam zgjedhur Prishtinën thjesht se është klubi më i madh në vend dhe më gjerë, sepse është duke e pritur mjaft gjatë titullin. Por, Prishtina sërish do ta ndjek titullin dhe ia vlen të provosh që së bashku të arrijmë deri te ai qëllim madhor. Kam shëtitur në mjaft klube, besoj se me përvojën që tani kam, jam pjekur edhe si futbollist dhe ka ardhur koha e duhur të vesh fanellën e klubit të qytetit tim. Është e vërtet që më pret konkurrencë e fort me sulmues shumë cilësor, megjithatë konkurrenca e rrit cilësinë dhe unë premtoj se do të jap maksimumin duke shpresuar se do të zë vend në formacion”, ka thënë sulmuesi Shillova gjatë prezentimit të tij te klubi bardhekaltër.