REAL-BORUSSIA

REUTERS
Rruga për La Decima
2 April, 2014 @13:38
Njëra ndër përballjet e sotme çerekfinale të Ligës së Kampionëve është ajo ndërmjet Realit të Madridit dhe Borussia Dortmund.
Real, që ishte mposhtur stinorin e kaluar turpshëm nga Borussia në gjysmëfinale po të kësaj gare, kësaj radhe kërkon hakmarrje, por ata kanë edhe një qëllim tjetër me Cristiano Ronaldon në formë këtë stinor.
“Kemi bërë gjithçka si duhet deri më tani. Ne jemi njëra nga dy skuadrat e pamposhtura këtë stinor në Ligë të Kampionëve. Jemi 100% të gatshëm për këtë ndeshje. Atyre u mungon Robert Lewandowski, që është një minus i madh për ata. Mirëpo, duke ditur se janë ekip kompakt që transformohen shkëlqyeshëm nga mbrojtja në sulm, duhet të kemi kujdes,” ka thënë trajneri italian i Real Madridit, Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme.
Real Madrid për më tepër është duke e ndjekur trofeun e dhjetë në Ligë të Kampionëve, La Decima, për të treguar mbizotërimin europian si ekip.
Sidoqoftë, Borussia nuk është edhe krejt pa gjasa.
“Nuk jam magjistar, por e di se kam lojtarë të mirë, të cilët duhet t’i bëj edhe më të mirë. Deri më tani kemi shkuar si duhet. Sa i përket Real Madridit, ata janë më fleksibil këtë stinor. Shpejtësinë e lojës e kanë të mahnitshme. Stinorin e kaluar kemi qenë më të mirë se ata dhe këtë do të provojmë përsëri,” ka thënë Jurgen Klopp trajneri i cili çoi Borussian në finale të Ligës së Kampionëve stinorin e kaluar duke e eliminuar pikërisht Real Madridin pas dy ndeshjeve gjysmëfinale.
Derisa Dortmund është duke luftuar për të gjetur një vend të sigurt për Ligë të Kampionëve stinorin tjetër nga Bundesliga, Real Madridi këtë gjë e ka të sigurt, por ata po luftojnë edhe për titullin në Spanjë.
Ndeshja pritet të jetë interesante, derisa Real Madridi ndeshjen e parë, atë që luhet sonte, e ka si vendas - derisa një javë më vonë do të duhet të udhëtojë në Dortmund për të zbardhur epilogun e kësaj përballjeje çerekfinale.
CHAMPIONS LEAGUE, Sonte:
20:45 Santiago Bernabeu, Madrid | Real Madrid - Borussia Dortmund | Gjyqtar kryesor: Mark Clattenburg |
KUOTAT E WILLIAM HILL:
1 | Fitore e Realit - 1.36 | Barazim - 5.25 | Fitore e Borussia - 7.00 |