KUALIFIKIMET
Rrugës për Brazil
28 March, 2013 @10:07
Belgjika e Kroacia, lënë pa gjasa Serbinë
Belgjika dhe Kroacia vazhduan me fitore në Grupin A dhe ngadalë po i afrohen kualifikimit për botërorin e ardhshëm. Belgjika prin në grup pas fitores 1-0 kundër Maqedonisë. Nje gol i vetëm nga super-talenti Eden Hazard ishte i mjaftueshëm për belgët që të vazhdojnë kryesimin në Grupin A.
Kroacia në anën tjetër e mban hapin me belgët pas fitores si mysafir kundër Uellsit me rezultat 2-1. Gareth Bale fillimisht me një gol nga penalltia dha epërsinë për vendasit, mirëpo kroatët edhe pse si mysafir, arritën të koncentrohen dhe me një gol të bukur fillimit nga Dejan Lovren, i cili barazoi dhe pastaj një gol nga kroati i natyralizuar Eduardo, ishin të mjaftueshme për fitoren e kroatëve dhe gjasat për kualifikim direkt për kroatët ende janë të mira.
Në ndeshjet e tjera të grupit, Serbia arriti që ti mbajë edhe ato pak gjasa për playoff pas fitores 2-0 kundër Skocisë. Serbia është në vendin e tretë me 7 pikë, 9 pikë më pak se liderët Belgjika dhe Kroacia.
Italia shkelë, Danimarka befasohet
Shpresat e danezëve për kualifikim pësuan një goditje të madhe pas barazimit të fundit kundër Bullgarisë, në Grupin B. Danezët me gjashtë pikë të tubuara gjenden në pozitën e katërt, dy më pak se Çekia e cila është në vendin e tretë, të cilët mposhtën Armeninë 3-0 si mysafirë. Bulgaria gjendet në pozitën e dytë, me tre pikë më pak se lideri, Italia, e cila mbajti primatin e grupit pas fitores 2-0 si mysafire e Maltës.
Mali i Zi nuk dorëzohet ende
Polonia me një fitore mbresëlënëse 5-0 ndaj San Marinos në Grupin H, mbajti gjallë shpresat për playoff. Ukraina, e cila mposhti Moldavinë në shtëpi me rezultat 2-1, është rival direkt i polakëve për pozitën e tretë, me pikë të njejta, mirëpo polakët mbajnë pozitën e tretë meqë e kanë një goldallim më të mirë. Liderët e grupit janë malazezët me 14 pikë dhe kanë dy pikë më shumë se Anglia e cila gjendet në pozitën e dytë, pas barazimit 1-1 në duelin direkt.
Portugalia e Izraeli ndjekin Rusinë
Në Grupin F, Porugalia dhe Izraeli mbajnë presionin ndaj liderëve rus pas fitoreve ndaj Azerbajxhanit respektivisht Irlandës Veriore. Këto rezultate e shkrinë epërsinë e rusëve në vetëm një pikë, mirëpo duhet cekur që Rusia ka 2 ndeshje më pak të zhvilluara.
Holanda gati siguron, Turqia merr teposhtëzen
Hungaria vazhdon të luftojë për playoff pas barazimit me Turqinë 1-1, ky rezultat i ngriti ata në pozitën e dytë me një pikë më shumë se rumunët, të cilët pësuan keq nga lideri, Holanda, me rezultat 4-0, në Amsterdam. Estonia vazhdon me shpresat për playoff pas fitores 2-0 kundër Andorrës.
Gjermania lehtë, të tjerët e ndjekin
Irlanda në Grupin C gjithashtu vazhdon t’i mbajë gjallë shpresat për playoff pas barazimit 2-2 kundër Austrisë. Djelmoshat e Giovanni Trapattonit së bashku me austrikët dhe suedezët kanë nga 8 pikë në pozitën e dytë, miërpo Suedia ka një ndeshje më pak. Në anën tjetër Gjermania me një fitore të lehtë 4-1 ndaj Kazakistanit ka mbajtur pozitën e parë me 8 pikë epërsi.
Spanja tregon forcën
Së fundi Spanja në Grupin I arriti të shënojë fitore kundër françezëve edhe atë në Paris, me golin e vetëm të Pedros, që ishte e mjaftueshme për ti marrur pikët e plota. Ndeshjet e radhës të vlefshme për kualifikim në “Brazili 2014” luhen gjatë muajit qershor.