5 PËR FUNDJAVË!
Sassuolo!
Shkruan: Luan MORINA
1 October, 2016 @10:50
1.Leverkusen – Dortmund (e shtunë, ora 6e30)
Një trajner si Roger Schmidt që nuk di të bëj rotacionin e duhur në kohën e duhur nuk do të sjell sukses të vazhdueshëm. Do të ketë oscilime të larta në formë e skuadra do të bije e do të ngritet kur nuk e pret askush. Nuk e dimë çfarë Leverkuseni do të del të shtunën, por e dimë që Dortmund do të sulmoj kah krahët, si me mbrojtës ashtu edhe me sulmues, derisa mesfusha do të jetë e gurtë për të mos lënë topa të kalojnë kah mbrojtja, që megjithatë mbetet pika më e dobët e ekipit.
Këtë pikë më së miri mund ta shfrytëzoj Chicharito, i cili për mua mbetet akoma njëri ndër lojtarët më të mirë me 2-3 prekje në zonë. Me pak hapësirë dhe topa të bukur, nuk i nevojitet shumëçka që të realizoj. Një dozë shtesë në këtë ndeshje pritet të kontribuoj historia.
2. Tottenham - Manchester City (e diel, ora 3e15)
Disa fansa mund ta quajnë derbi i inferiorëve të qyteteve përkatëse. Në masë të madhe nuk e kanë gabim! Megjithatë viteve të fundit, që të dyja kanë pasur një ngritje në cilësi dhe sikur të kishin më shumë histori dhe përvojë e fansa, do të kishin qenë më mirë të konsoliduara për momentin.
Që të dyja kanë lojtarë të mirë, vetëm Spurs kanë talente që të kënaqin me futboll pa menduar koston e tyre. Në anën tjetër kemi një sulm në të cilin janë shpenzuar 150 milionë funte vetëm në dy krahët e tij. Nëse i shtojmë edhe sulmuesin dhe mesfushorin ofensiv, atëherë kjo shifër kalon në mbi 210 milionë funte, edhe pse devalvimi i kostos që ka ndodhur kohëve të fundit mund të bënte që këto dy transferime të kushtonin edhe 50 milionë euro më tepër.
Sidoqoftë, është futboll anglez, i furishëm, i shpejtë, dhe që të kënaq syrin e zemrën. S’besoj që kjo ndeshje mund të ofroj diçka tjetër. Nejse, edhe disa simulime shtesë të mesfushorëve defensivë të Cityt, një veti në të cilën kanë filluar të shkëlqejnë nga fillimi i këtij sezoni!
3.Schalke – Monchengladbach (e diel, ora 5e30)
Nuk mendoj që Bruno Labbadia ka merituar të jetë trajneri i parë i shkarkuar këtë sezon. Jo që ka bërë diçka të hatashme me HSV, por ky nder duhet t’i kishte takuar Markus Weinzierl. Ka qenë e zorshme për ‘milionerët’ të gjejnë trajner më të dobët se Di Matteo. Por, ia kanë dalë.
Relativisht i papërvojë, Weinzierl nuk është duke bërë punë të keqe në Schalke nëse shohim statistikat e tij në Regensburg dhe Augsburg – tek të dyja ka rreth 35-36% të ndeshjeve të fituara. Bile, në Schalke është më i suksesshëm me për momentin 37.5% të ndeshjeve të fituara. Është kapur me nja dy talente të klubit, bën rotacione të pakuptimta, nuk ka ide, ka fond të bollshëm të lojtarëve që nuk di të shfrytëzoj. Por, Schalke është në nivel ku ishte Augsburgu, pra aty për tek mbijetesa.
Në anën tjetër Borussia ka gjetur pak formë, por jo edhe të mbaj rezultatin, sidomos jo që po luajnë me tre qendërmbrojtës dhe me mesfushë pak më ofensivë si rrjedhojë e kësaj. Për mua, fitorja e Borussias më shumë do i bënte mirë Schalkes në rast se ndërronin trajnerin.
4.Milan – Sassuolo (e diel, ora 6)
Deshëm apo s’deshëm të pranojmë, Sassuolo ka qenë pjesë e rëndësishme e historisë më të re të Milanit. Me njëfarë mënyre ka spikatur përfundimin e epokës së fundit të suksesshme të Berlusconit me largimin e Allegrit, pas asaj humbjeje të rëndë nga Berardi. Sezonin e kaluar në duel direkt kanë siguruar Europa League, diçka që megjithatë mund të mos ketë qenë imperativ për skuadrën simbol të qytetit të modës.
Këtë sezon, Di Francesco është pa Berardin dhe vjen nga humbja e pësuar kundër Genk. Milani hyn befasisht me tri ndeshje pa pësuar gol me një lider të lindur në Palettan. Montella ka shumë punë për të bërë dhe për momentin Sassuolo është ekip më i kompozuar se Milani, ngjashëm si 6-7 ekipe tjera. Fitorja e mysafirëve nuk do të ishte befasi, por Milani mund të vazhdoj në rrugën me rezultate pozitive, ndoshta edhe duke shfrytëzuar lodhjen e mysafirëve të së enjtes.
5.Roma – Inter (e diel, ora 15n9)
Lodhjen e të enjtes do ta kenë në plan të parë edhe Roma me Interin. Derisa këta të fundit nuk e kanë ekipin e dytë të denjë për Europa League, Roma po provon të lajë veten me eliminimin nga Liga e Kampionëve. Pranverën në Evropë, romakët e kanë të sigurt, por me thellësinë e kësaj ekipe, nuk mund të luftojnë gjatë në dy frone.
Që të dyja ekipet kanë ofruar lojëra të bukura në ditët e lavdishme të Serie A. Nëse asgjë nuk ka mbetur nga cilësia e atyre ditëve, është atmosfera e shikuesve dhe emri i madhështorit Francesco Totti.