ÇEKU I RI
Schick bëhet rekord transfer i Romës
29 August, 2017 @23:24
Skuadra nga kryeqyteti italian, Roma, ka zyrtarizuar sot futbollistin e ri çek, Patrik Schick, që erdhi nga Sampdoria në një marrëveshje interesante që mund të kap 42 milionë euro dëmshpërblim, që do të jetë rekord i klubit gialloross.
Sulmuesi çek 21 vjeçar, Schick, u kërkua nga Juventus, pastaj u tentua edhe te Interi për të përfunduar aktualisht te Roma.
Marrëveshja ndërmjet Romës dhe Sampdorias është shumë interesante. Së pari, Roma ka paguar një huazim për këtë stinor prej 5 milionë eurove, që në fund të stinorit e obligon ekipin romak për blerje me shtesë 9 milionë euro.
Deri në shkurt të vitit 2020, Roma do të duhet t’ia paguajë Sampdorias edhe 20 milionë euro, nëse lojtarin ende e ka në ekip, shto këtu edhe 8 milionë euro bonuse.
Ndërsa, nëse Roma e shet Schickun para datës së dhënë më lartë, Sampdoria do të merr 50% të shumës së dëmshpërblimit të tij, plus 20 milionë euro tjera!
Schick impresionoi stinorin e kaluar me Sampdorian, duke shënuar 13 gola dhe 5 asistime në stinorin e parë të tij me ekipin nga Xhenova.
Përfundimisht, fatura e Schickut do t’i kushtojë Romës mes 38 dhe 42 milionë euro, që do të kalojë rekordin e deritashëm të klubit romak, kur kishte paguar 36 milionë euro për sulmuesin argjentinas, Gabriel Batistuta, në vitin 2000.