TRAJNERI I BESËS
Sejdiu: Vendosi një episod
19 November, 2016 @15:14
Trajneri i Besës, Gani Sejdiu, në deklaratën e tij pas ndeshjes Prishtina-Besa ka thënë se ndeshjen e vendosi një episod, ndërsa ekipi i tij përkundër se ishte i përgatitur nuk ka arritur që të kthehet në lojë.
“Ne kemi pësuar në një moment të mirë për ne, kur erdhëm pas fitoreve dhe kthimit në formë. Kemi qenë të përgatitur dhe me një fitore do të futeshim direkt në garë për titull. Sidoqoftë, një episod në ndeshje e vendosi atë, kur shkaktuam korner pa nevojë dhe nuk e mbuluam Mërgim Pefqelin që shënoi për epërsinë e Prishtinës,” ka thënë Sejdiu.
“Lojtarët e Besës luajtën mirë, raste krijuam, por është e vështirë të kthehesh në lojë ndaj Prishtinës që ka treguar se kur shënon e para nuk bie nga loja,” ka shtuar ai.
Sa i përket qëllimit të Besës në ndeshjet e mbetura trajneri mitrovicas i Besës ka thënë:
“Objektivi ynë është që të jemi më së largu 9 pikë nga lideri për tu këndellur dhe për tu përforcuar në janar e pastaj të vazhdojmë në luftë për titull,” ka treguar Sejdiu.
Besa u mposht nga Prishtina 2-0 sot në “Agron Rama” të Obiliqit.