GJOBAT E FIFAs
Serbia gjobitet edhe më rëndë
25 June, 2018 @19:58
Përveç gjobave të shqiptuara për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe Steph Lichtsteinerin, FIFA ka gjobitur edhe kryetarin e Federatës serbe të futbollit (FSS), Slavisa Kokeza dhe selektorin e Serbisë, Mladen Krstajic.
Bashkë me ta, është gjobitur edhe vetë FSS-ja, për shkak të brohoritjeve diskriminuese të tifozëve në ndeshjen Zvicra-Serbia si dhe hudhjes së gjësendeve në fushë.
Kokeza është gjobitur me 5 mijë franga, njejtë si selektori Krstajic, për shkak të komenteve të tyre pas ndeshjes lidhur me referin Felix Brych.
Dyshja kishte dhënë këto komente pas ndeshjes: “arbitri gjerman ka dëmtuar reprezentacionin tonë në këtë ndeshje” dhe “do ta dërgoja në Hagë”.
Ndërkaq, FSS-ja është gjobitur me 54 mijë franga zvicerane për shkak të hudhjes së gjësendeve në fushë nga tifozët si dhe thirrjeve të tyre me porosi diskriminuese në ndeshjen e zhvilluar në Kaliningrad, ku Zvicra mposhti Serbinë, 2-1.