DITARI RUS (10)
Tre luanët do të mbesin pa titull
Shkruan: LUAN MORINA
24 June, 2018 @22:17
Gjashtë gola, het-trik i Harry Kane, dy gola nga John Stones, një asistim nga Ruben Loftus-Cheek. Megjithëkëtë, ky nuk është ekip kampionësh, ndonëse kanë fituar lehtë kundër debutuesve në Kupën e Botës. Kundër Tunizisë hasën në probleme, karshi lojës ekipore, dhe fati deshi që me Panamanë të hapin serinë e golave herët.
Mezi pres të shoh se si do ballafaqohen me Belgjikën, pasi të dyja luajnë futboll të hapur deri tani, dhe formacion gati të njëjtë. Ndoshta humbësi mund të ketë më shumë fat për të arritur deri në gjysmëfinale! Por, titulli i vetëm për anglezët do të mbetet ai i vitit 1966 edhe pas kësaj Kupe.
H-ja
Loja më e bukur e ditës, dhe ndër më të bukurat e Kupës ishte ndërmjet Senegalit dhe Japonisë. Aziatikët ishin shumë më të hapur për të sulmuar, krijonin raste, sidomos në krahë, dhe si rrjedhojë shënuan dy gola të bukur. Vërtetë po më pëlqen loja e tyre, dhe me polakët tani më të eliminuar do të ishte befasi nëse arrijnë të kalojnë tutje si të parët e grupit!
Në anën tjetër Senegali edhe sot preferonte të qëndronte pas, duke pritur rastet e mira të kundërsulmit, një armë e cila përdorej mirë edhe nga japonezët. Nuk kanë përfundues të mirë dhe M’Baye Niang nuk mund të shënojë e as të marrë mbi vete ndonjërin nga qendërmbrojtësit. Krahët mbesin e vetmja mënyrë për të arritur tek rrethi i dytë me një fitore ndaj Kolumbisë.
POLONIA
Asgjë më shumë se para dy vite nuk kanë bërë polakët në këtë Kupë Bote. Me Lewandowskin s’do të bëjnë asnjëherë me gjasë, pasi vet lojtari nuk duket se ia ka haberin çfarë të bëj në gara të mëdha.
Nawalka nuk po e gjen rrugën deri tek goli, dhe sonte ishin të përqendruar panevojshëm në mbrojtje. Kolumbia mori me mëritë të tri pikët dhe dukej më e këndellur se sa në ndeshjen e parë. Ngjante pak më shumë në atë të para katër viteve. Ndoshta sepse sonte ishin të njëmbëdhjetit në fushë deri në fund.
GRUPET
Nesër nis faza e fundit e grupeve dhe dihen katër nga pesë përfaqësueset që do të kalojnë në rrethin e dytë. Rusia me Uruguain do të përcaktojnë më të mirin e grupit A, dhe më në fund rusët do të kenë një kundërshtar të denjë. Rivaliteti i Egjiptit me Arabinë Saudite nuk bën të humbet si reprizë.
Irani është në mision të pamundur kundër Portugalisë, por as kampionët evropian nuk janë treguar aq superior as ndaj Spanjës e as ndaj Marokut!
Spanja në anën tjetër s’duhet të ketë probleme, ndonëse marokenët nuk janë ekip për t’u nënçmuar. E kanë dëshmuar këtë në dy ndeshjet e para ku iu mungonte fati.