GRUPI G: ANGLIA-PANAMAJA
Anglia e frikshme, shkatërron Panamanë
24 June, 2018 @15:49
Anglia tashmë do të kërkojë lidershipin e Grupit G në Botërorin Rusia 2018, pasi që me lojën e sotme dhe golat e shumtë, e të shpejtë, të shënuar ndaj Panamasë i duhet vetëm një barazim ndaj Belgjikës për të përfunduar e para në grup.
“Luanët” anglezë kanë nisur shpejt dhe furishëm takimin, duke marrë epërsinë me golin e qendërmbrojtësit John Stones, që shënoi fuqishëm me kokë nga korneri i Kieran Trippierit.
Më pas, Harry Kane me penallti ngriti epërsinë në 2-0, ndërsa Jesse Lingard dhe Stones përsëri bën rezultatin 4-0, para se Kane, përsëri nga penalltia të shënojë për 5-0. Dhe ky ishte rezultati i pjesës së parë të ndeshjes.
Në pjesën e dytë selektori anglez, Gareth Southgate, me të shënuar Kane golin e tretë personal për hat-trick dhe 6-0, e zëvendësoi atë.
Ndërsa deri në fund të ndeshjes, Panama shënoi golin e nderit dhe historik (të parin për Panamanë në ndonjë Botëror) përmes Felipe Baloyit, për përfundimtaren 6-1.
Anglia, bashkë me Belgjikën shkojnë tutje nga Grupi G, ndërsa Panamaja me Tunizinë eliminohen. Në duelet e fundit të grupit, takohen Anglia-Belgjika dhe Panamaja-Tunizia, ku do të përcaktohet renditja përfundimtare e grupit.