PRISHTINA

Foto: FC Prishtina
Sermaxhaj paralajmëron ende përforcime
20 January, 2016 @15:49
Në konferencën e sotme për media të klubit të futbollit Prishtina, ku u prezentuan pesë përforcimet e reja të bardhekaltërve, trajneri i skuadrës, Sami Sermaxhaj, paralajmëroi se nuk do të ndalen me kaq, derisa shtoi se përforcimet e realizuara janë paksa të vonshme.
“Për ne trajnerët është më mirë që në start t’i kemi në dispozicion futbollistët e rinj, për t’u përgatitur dhe filluar garat. Mirëpo, në futboll tani janë duke u bërë të shpeshta ndërrimet dhe normalisht që na shkaktojnë probleme, mirëpo ne kemi nevojë për t’u përforcuar. Këtu kemi tre futbollist të dëshmuar në futbollin tonë, pastaj kemi Dumanin që e shton konkurrencën dhe Leonati është futbollist potencial që ka perspektivë në të ardhmen dhe varet nga vetë ai sa do të arrijë lartë. Kemi nevojë ende për disa pozita, i mirëpresim ato, megjithëse dëshira ime ka qenë që me 11 janar t’i kem të grumbulluar të gjithë këta dhe të vazhdonim përgatitjet, por duhet pajtuar edhe këtë mënyrë duke i pritur edhe ardhjet tjera dhe për të parë se a kanë potencial për të qëndruar apo jo. Nëse nuk janë për të qëndruar do të gjejmë zgjidhjen për të vazhduar tutje,” tha Sermaxhaj.
Më tej, trajneri i kryeqytetasve foli edhe në lidhje me komponim të skuadrës, që besohet se mund të krijoj problem pas ndryshimeve të shumta në skuadër.
”Është e vërtetë se është vështirë me shumë ardhje të komponohet skuadra, por ne kemi pasur nevojë për futbollistë të ri, për rritje konkurrence dhe për përforcime me qëllim që të ngrisim nivelin dhe të përfaqësohemi më denjësisht se sa në stinorin vjeshtor”.
Prishtina sot ka nënshkruar me futbollistët Granit Kolshi, Taulant Dajaku, Liridon Ahmeti, Gentrit Dumani dhe Leonat Vitija, ndërsa nga skuadra janë larguar Bashkim Shala, Qëndrim Jahaj, Granit Begolli, dy koreanët dhe me gjasë edhe Elhami Berisha që pritet të migroj jashtë vendit.