XHERDANI
Shaqiri, Zvicra luan për Hitzfeldin
16 June, 2014 @21:55
Mesfushori i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, që është zgjedhur lojtari i ndeshjes ku Zvicra fitoi Ekuadorin 2-1, ka thënë për mediat gjermane se të gjithë futbollistët luajnë për të bërë krenar përzgjedhësin gjerman, Ottmar Hitzfeld.
Hitzfeld do të përshëndetet nga trajnerllëku dhe futbolli në përgjithësi me të përfunduar Kampionati Botëror, Brazili 2014, e lojtarët e saj janë tepër falenderues për strategun.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar trajnerin tonë që të përfundojë karrierën e tij me sukses. Ai është një njeri i madh, që komunikon mrekullueshëm me të gjithë si dhe na bën të gjithëve që të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me njëri-tjetrin,” ka thënë ylli kosovar i Bayern Munchenit për faqen zyrtare të Bundesligës sot.
Zvicra ka arritur të shënojë fitore në minutën e fundit të ndeshjes ndaj Ekuadorit, pas një veprimi heroik të Valon Behramit, i cili shpëtoi golin e skuadrës dhe vrapoi për të nisur akcionin - ku në ndërkohë u rrëzua dhe u ngrit pas një starti të kundërshtarit - duke pasuar në krah prej ku Haris Seferovic shënoi për fitoren e madhe të helvetëve 2-1.
Golin e parë për Zvicrën dhe të barazimit e kishte shënuar Admir Mehmedi. Me këtë gol, Mehmedi është bërë futbollisti i parë shqiptar që shënon në Kampionat Botëror.