EUROPA LEAGUE
Shkëndija beson në Europa League
24 August, 2016 @17:08
Skuadra e Shkëndijës nesër do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare për t’u kualifikuar në grupet e Europa League.
Kuqezinjtë nga Tetova do të ndeshen me skuadrën belge, Gent, për t’u revanshuar nga humbja 2-1 që e kishin pësuar në Belgjikë.
Para kësaj ndeshjeje, trajneri Bruno Akrapovic dhe kapiteni Ferhan Hasani ishin të pranishëm në konferencë për shtyp, duke u treguar optimist për kualifikimin.
“Përshëndetje për gjithë dashamirët e futbollit në gjithë Maqedoninë dhe më gjërë, pasi sa dëgjoj ka shumë interes për këtë ndeshje dhe vetë ky fakt tregon se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne, për ekipin dhe për botën e futbollit që e duan këtë sport. Kemi krijuar atë situatë që rezultati të jetë i ngushtë, të kemi shanse për të kaluar në grupe dhe do të japim gjithçka nga vetja që atë mundësi ta shfrytëzojmë. Ekipi do të luajë si zjarr, kjo është e sigurtë, ndërsa detyra ime është që të kujdesem mos digjet,” ka thënë trajneri i Shkëndijës.
Ndërsa kapiteni Ferhan Hasani, që gjithmonë ka qenë njëri ndër bartësit kryesorë të lojës së Shkëndijës, tha se skuadra do ta jap maksimumin për të shkuar në grupe.
“Jemi të vetëdijshëm për vlerën e ndeshjes që do të luajmë nesër, e dijmë se do të ballafaqohemi me një kundërshtar të fortë, por ne e pamë edhe në ndeshjen e parë se ne kemi ekip i cili mund t’u bëjë ballë kundërshtarë të fortë siç është Genti. Për ne ky është moment historik, besoj se të gjithë do të japim më të mirën nga vetja, do të japim maksimumin që të arrijmë të kualifikohemi në grupet e Europa Ligës. Besoj do të jetë ndeshje e vështirë, por siç thash më herët, ne kemi treguar deri tash se jemi ekip i mirë. Ashtu si do të jetë e vështirë kjo ndeshje, ne kemi kaluar tre raunde paraprakisht të vështira ku aspak nuk ishte e lehtë. Si kemi ardhur deri këtu, besoj se do të vazhdojmë edhe më tutje,” tha kapiteni Hasani.
Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Gentit do të luhet të enjtën nga ora 20:00 në stadiumin Filipi II të Shkupit.
Kuqezinjëve i mjafton fitorja minimale 1-0, ndërsa nëse pëson gol, duhet të fitojë me dy gola epërsi për ta realizuar ëndrrën.