EUROPA LEAGUE
Shkëndija për fitore ndaj Cracovias
29 June, 2016 @18:43
Skuadra tetovare, Shkëndija, të enjtën më 30 qershor do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të rrethit të parë të Europa League, ku do të përballet me skuadrën polake, Cracovia.
Vetëm një ditë para ndeshjes, ekipi kuqezi organizoi konferencë për shtyp me trajnerin Bruno Akrapovic dhe kapitenin Ferhan Hasani, të cilët u treguan optimist për fitore.
“Kemi analizuar kundërshtarin, posaçërisht në dy ndeshjet e fundit. Mendoj se në takimin e fundit kanë taktizuar, nuk luajtën gjithë futbollistët pasi pushuan disa prej tyre. Kundër Zhilinës ishte ndryshe, kështu që kemi informata që janë të freskëta dhe aktuale, ndërsa kemi edhe informata nga ndeshjet e fundit të kampionatit në Poloni. Kështu që mendoj se pak gjëra mund të na befasojnë. Kanë një futbollist që është aktiv me Poloninë në Kampionatin Evropian, lojtar i shkëlqyeshëm dhe prania e tij në Evropian më shumë na konvenon neve se sa Krakovias. Dijmë shumë gjëra, do të shikojmë edhe disa segmente për t’i analizuar, por nuk dua të flas shumë për kundërshtarin, pasi me rëndësi është që ekipi im të imponojë stilin tonë të lojës dhe të mundohemi ashtu të arrijmë rezultatin e dëshiruar,” tha Akrapovic.
Ndërsa kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani, shtoi se aq sa fitore, do të jetë shumë me rëndësi që skuadra edhe të mos pësojë gol.
“Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, kemi punuar mirë gjatë kësaj fazës përgatitore dhe jemi të gatshëm. E dijmë se bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë që vjen nga një kampionat kualitativ si që është Polonia, mirëpo edhe ne kemi forcat tona dhe jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Për mua rezultat i mirë do të jetë çdo fitore pa gol të pranuar. Më e rëndësishme është mos të pranojmë gol,” tha ai.
Ndeshja Shkëndija-Cracovia do të luhet në stadiumin “Filipi II” të Shkupit dhe do të fillojë nga ora 21:00.