DANIEL ALVES
Shpërthen ndaj drejtuesve të Barçës dhe mediave
20 February, 2017 @15:23
Futbollisti aktual i Juventusit, Dani Alves, ka shpërthyer në një bisedë me spanjollen ABC. Ai ka treguar se është ndier i fyer me trajtimin që i bënë drejtuesit e Barcelonës para skadimit të kontratës së tij, ndërsa ka hedhur përtoke edhe mediat madrilene e katalonase që me çdo kusht mbrojnë ekipet e tyre.
“Në vitet e fundit me Barcelonën gjithmonë kam dëgjuar e lexuar se unë po largohesha, por menaxhmenti asnjë fjalë lidhur me këtë nuk ma tha,” ka thënë 33 vjeçari.
“Kanë qenë jofalenderues dhe nuk më kanë respektuar. Më kanë ofruar renovim kontrate vetëm për shkak se FIFA u kishte ndaluar transferet e reja,” ka treguar më tej Alves.
Për më tepër, duke ditur mirë mediat spanjollë për shkak të qëndrimit të gjatë aty, te Sevilla e pastaj edhe te Barcelona, ai ka kritikuar mediat madrilene dhe katalonase për përkrahjen e madhe ndaj ekipeve, por jo edhe të lojtarëve.
“Së pari ne jemi njerëz dhe kemi ndjenja. Ekipi nuk është gjithçka,” ka shtuar ndër të tjera mbrojtësi brazilian që është lider me ekipin e tij Juventus në Serie A.