CITY - LEICESTER
Shpëtimtari Kompany, City përsëri lider
6 May, 2019 @22:57
Vazhdon gara e çmendur për titull në Premier League!
Pas fitores së Liverpoolit ndaj Newcastlet në fundjavë, fitore me shumë mund shënoi edhe Manchester City sonte, duke bërë kështu që titulli të vendoset në xhiron e fundit, gjë që nuk ndodhte që nga sezoni 2011/2012 në Premier League.
Në takimin e luajtur sonte, ‘qytetarët’ vuajtën shumë ndaj një Leicesteri që zhvilloi paraqitje mjaft të mirë, mirëpo atë që nuk e bëri faza ofansive, u detyrua ta bëjë Vincent Kompany, i cili me një goditje befasuese nga distanca shënoi për 1-0, rezultat me të cilin u mbyll edhe ndeshja.
Gol vendimtar pikërisht Kompany kishte shënuar për Cityn edhe në sezonin 2011/2012 në ndeshjen derbi ndaj Manchester Unitedit pak xhiro para fundit të kampionatit, gol i cili e ndihmoi Cityn që ta fitojë titullin atë sezon falë golaverazhit më të mirë se rivali i qytetit.
Kështu, në xhiron e fundit titulli është në dorën e Manchester Cityt. Nëse kjo skuadër e mposht Brightonin, e fiton titullin pavarësisht rezultatit në ndeshjen Liverpool vs. Wolves, derisa ‘Të Kuqtë’ e Klopp për ta fituar titullin duhet ta fitojnë fillimisht ndeshjen e vet, e pastaj të shpresojnë në ndonjë gabim të Cityt në udhëtim te Brightoni.