KEK - BALLKANI
Ballkani i sigurt, i mjafton pjesa e parë
5 May, 2019 @18:32
Ballkani pa shumë telashe ka shënuar fitore ndaj KEK-ut sot në Obiliq, për të arkëtuar tre pikë të reja për skuadrën e Gani Sejdiut dhe për të shtuar mundësinë për mbijetesë direkte në Superligë.
Jetmir Topalli i disponuar sot ka shënuar golin e parë për ekipin e tij (24’) 0-1, me një goditje të fuqishme nga zona, ndërsa shpejt Aldin Adzovic (38’) ngriti epërsinë 0-2. Topalli mbylli ndeshjen pa përfunduar pjesa e parë me golin e tij të dytë dhe të tretën për skuadrën (41’) 0-3.
Në pjesën e dytë KEK-u i dorëzuar dhe pa shumë raste konkrete, me Ballkanin e interesuar që të përfundojë ndeshja sa më shpejt, 45 minutat kaluan pa ndonjë ngjarje të rëndësishme për tu përmendur, e Ballkani tashmë mendon për shpëtim.
Suharekasit janë vetëm 1 pikë larg nga zona e shpëtimit, ku pritet të jetë shumë nxehtë në tre xhirot e fundit.