FERIZAJI - LIRIA
Ferizaji fundos Lirinë përfundimisht, prizrenasit në Ligë të Parë
5 May, 2019 @18:02
Tashmë s’ka shpresa as teorike. Liria me disfatën e sotme nga Ferizaji si mysafir është anëtare e Ligës së Parë të Kosovës në futboll dhe i kthehet kësaj lige pas 4 sezonash në Superligë.
Në fakt, Liria e nisi ndeshjen me plot shpresa. Shënoi shpejt me anë të Diellor Besenit (21’) 0-1.
Mirëpo, deri në fund të pjesës së parë vendasit barazuan. Ka qenë Ermal Krasniqi që shënoi nga e djathta (45’) për 1-1 para se të shkohet në pushim.
Në pjesë të dytë Liria përsëri nisi me vrull. Tentuan Ilir Mustafa e Blendi Memaj, por kot. 13 minuta para fundit të ndeshjes Dardan Çerkini (77’) shënoi për 2-1 në të mirë të ekipit të Bylbyl Sokolit për të siguruar fitoren e Ferizajit, ndërsa Dren Gashi në minutat shtesë vendos rezultatin përfundimtar 3-1 (90’+3).
Derisa Liria tashmë duhet të nis të mendojë për stinorin e radhës, Ferizaji ka dalë për momentin nga zona e rrezikshme me këtë fitore dhe shumë lehtë mund të shpëtojë plotësisht pa barazh, stinorin.