5 PËR VIKEND
Shpresa e principatës
Shkruan: Luan MORINA
27 January, 2017 @18:01
1. Derby – Leicester (e premte, ora 5n9)
Tom Ince e Will Hughes janë dy talente të mëdha tek Derby. I pari i ka përngjarë babait, derisa i dyti gjithnjë është shfaqur si talent, por akoma i pa-gatshëm për Premier League. Nga ata që mund të njihni tek Derby janë edhe Darren Bent e Andreas Weinmann. Por, mbi të gjitha që nga ardhja e Steve McClaren sikur kanë gjetur formën.
Larg formës janë Leicester City. Kampionëve iu kthehet Riyad Mahrez nga dështimi i Algjerisë, derisa Slimani është i lënduar. Kanë shitur Schluppin, dhe tani Hernandezin, derisa mbrojtja vazhdoj të gjakojë. Gjasat janë të mëdha që Derby të kalojë në rrethin e ardhshëm të Kupës së Federatës Angleze.
2. Leipzig - Hoffenheim (e shtunë, ora 3e30)
Leipzig po ndihmon Bundesligën për dallim prej Bayernit. Të gjithë ata që çohen peshë kundër Leipzigut nuk janë asgjë pos fansa të Bayern të cilët rrezikojnë që më në fund dikush mund të mbledh ajkën e Bundesligës. Sidoqoftë, Sule po zgjedh Bayernin, ngjashëm si Rode.
Derisa në renditje kanë dallim të madh, të dyja ekipet po befasojnë me lojëra të bukura. Që të dyja kanë fituar me plotë mëritë javën e kaluar, ndërkohë Hoffenheim vazhdon të jetë ekipi i vetëm në pesë ligat më të mira në Evropë, ende pa humbje.
3. Leverkusen – Monchengladbach (e shtunë, ora 6e30)
Edhe një tjetër ndeshje nga Bundesliga këtë fundjavë. Kryesisht falë përballjeve të pabarabarta, por assesi jointeresante në FA Cup. Klasikja gjermane do të duhej t’i takonte ‘farmaceutëve’ të cilët sezonin e fundit kishin mposhtur Borussian me rezultat 5-0. Ishte kjo periudha e ndryshimeve, pjesë e asaj vjeshte të errët të Monchengladach.
Mysafirët po kanë problem të baraspeshojnë Evropën me Gjermani gjatë vjeshtës dhe për këtë arsye trajnerët po shkojnë kurban çdo dhjetor. Tani ka kohë për tu konsoliduar si ekip dhe ndeshja kundër Leverkusenit mund të jetë e duhura.
4. Real Madrid – Sociedad (e diel, ora 15n9)
Të dyja janë jashtë Kupës. Për Realin mund të jetë befasi duke ditur se ka qenë një garë lehtë e fitueshme, sidomos po të luanin me Alavesin. Por, tani u mbetet Evropa dhe La Liga për të shpëtuar sezonin. Kjo e dyta mund të jetë punë e kryer shumë frikë nëse nuk lëshojnë pikë ndaj ekipeve si Sociedad.
Për baskët, asgjë e re. Në katër ndeshjet zyrtare ndaj Realit kanë pësuar 11 gola duke shënuar vetëm dy. Katër humbje! Hera e fundit që kanë nxjerr pikë ka qenë fillimi i sezonit 2014-15. Një sezon më herët kishin humbur 4-0 si vendas. Historia nuk është në anën e tyre. As e tashmja!
5. PSG – Monaco (e diel, ora 9)
Shpresat për shpëtimin e futbollit francez qëndrojnë në Principatën e Monakos. Me një ekip tepër të talentuar, me një strateg më të mirë se Unai Emery, Monaco do të duhej t’i bënte ballë PSG në të katër fronet në të cilat janë aktive akoma të dyjat. Në vjeshtë, Monaco kishte fituar 3-1. Edhe vitin e kaluar në ‘Parkun e Princërve patën fituar 2-0. Pra, nëse asgjë, së paku në ndeshjet e drejtpërdrejta Monaco nuk e ka frikë PSG.
Por, me ardhjen e Draxlerit, duket se vija ofensive është freskuar tek ‘parisienët’. Kanë pasur një seri të mirë rezultatesh. Ngjashëm si Monaco, kanë nisur vitin me pesë fitore në po aq ndeshje zyrtare. Dikujt do t’i prishet seria e fitoreve. Ndoshta të dyjave.