KOLUMNE
Si kaloi gjysmëvjetori tek Manchester City?
Shkruan: LUAN MORINA
17 January, 2018 @8:15
Më në fund humbën! E humbën një ndeshje pasi titulli është i siguruar moti!
Në Barcelonë dhe Bayern, Guardiola ka luajtur pa mbrojtje! Kjo më së miri shpjegohet nga strategjia e mbajtjes së topit. Për këtë arsye vitin e kaluar Sagna, Clichy, Zabaleta, e Kolarov ishin pjesë e Cityt. Për dallim nga La Liga dhe Bundesliga ku kundërshtari ka nerva të pres gabimin dhe të kthehet mbrapa e të lë të mbash topin, në Premier League nervat janë më të pakta tek shikuesit të cilët refuzojnë inferioritetin ndaj kushdo që del përpara.
MË TË MIRËT
I është dashur një sezon për të kuptuar që edhe mbrojtja ka nevojë të jetë e nivelit të lartë. Megjithatë nuk përkthehet ashiqare në sukses tek City. Dy emra në fushë do ti veçoja si shtyllat kryesore tek suksesi i Cityt këtë sezon – Ederson dhe David Silva.
Tek Analiza Verore për Manchester Cityn kam përmendur transformimin e David Silvas në një Yaya Toure. Silva këtë sezon është kthyer edhe në pjesën defensive të mesfushës, përpos lëvizjes në tri kahet e mesfushës ofensive.
LIRIA
Pos Silvas, liri të madhe Guardiola i ka dhënë edhe De Bruynes. Dhe kur këta dy kanë hapësirë për të ndryshuar krahët e pozitat, krijohet një tollovi tek mbrojtjet kundërshtare të cilat nuk e kanë lehtë të përballen me lëvizje të këtilla të lojtarëve. Këto lëvizje kanë ndikuar edhe tek një Sterling që nuk e kemi parë kurrë më heret.
Raheem ka qenë vendimtar në disa gola të vonshëm. Puna e Guardiolas në përgatitjen psikike të këtij lojtari dhe krejt ekipit mund të vërehet tek ndeshjet e fituara vonë. Për dallim nga disa ekipe tjera, Manchester City luan me mentalitetin e ‘golit të artë’. Ndeshja rinis pas çdo goli për ta dhe ky mentalitet do të mund t’i sillte një kamionetë me tituj këtë sezon!
TITUJT
E nëse kjo kamionetë titujsh njërën tabelë do të kishte emrin e David Silvas, në tjetrën do të duhej emri i Edersonit. Portieri brazilian ka qenë fenomenal këtë sezon, duke intervenuar në ato gjuajtje që kanë arritur në drejtimin e tij. Ka qenë vendimtar në shumë raste dhe është një përmirësim ekstrem në krahasim me Claudio Bravo.
Kanë humbur Sanchezin, mirëpo nuk është problem i madh për ta. Ndoshta edhe mund ta marrin në fund, edhe pse në momentin e këtij shkrimi po flitet për një transferim të përfunduar tek United. Nuk shoh nevojë për tu përmirësuar pasi Kupa e Ligës po shkon drejt fundit, e për Kupën FA e Ligën e Kampionëve kanë mjaft alternativa nëse nuk ndodh ndonjë lëndim afatgjatë.
Do të ketë ardhje të ndonjë mesfushori defensiv në verë për të zëvendësuar Fernandinhon e Yaya Touren. Ky i fundit meriton çdo medalje që mund të fitojnë këtë vit citizenët. Bashkë me David Silvan e Vincent Kompanyn janë treshja që ka vënë themelet e ‘epokës Abu Dhabi’ të Cityt. Epokë që më në fund po shfaq suksesin të planifikuar në fillim.