QUALIFICATION MATHs

Si shkohet nga Liga e Kombeve në Kampionatin Botëror “Katari 2022” dhe direkt?
20 November, 2020 @4:10
Për të qartësuar “matematikat” dhe për të sqaruar rrugëtimin e skuadrave evropiane drejt Kampionatit Botëror “Katari 2022” - kanë ardhur disa pyetje në llogaritë e rrjeteve sociale të TopSporti.com.
Kështu, pasi që edhe Shqipëria është njëra ndër fitueset e grupeve të Ligës C të Kombeve dhe për të qartësuar mundësitë për kalim në PlayOff për “Katari 2022” po shpjegojmë, në tentim sa më qartë, rrugëtimin e skuadrave evropiane nga zona e UEFA-së drejt Botërorit në Katar.
- - - - - HAPI I PARË:
Nga zona e Evropës (UEFA) drejt Botërorit shkojnë 13 shtete.
Shorti për kualifikimet e rregullta drejt Botërorit “Katari 2022” për zonën e Evropës do të hidhet më 7 dhjetor 2020 në Zurich, në ora 18:00.
Skuadrat, sipas vazove (i sheh mëposhtë), do të ndahen në 10 grupe. Kualifikimet do të fillojnë në mars 2021 dhe do të përfundojnë në nëntor të vitit 2021.
Të gjithë fituesit e grupeve (prej A deri në J) kualifikuese do të sigurojnë biletën direkte për “Katar 2022” - me ç‘rast 10 skuadra/shtete/kombëtare do të marrin “vizat” për Botëror.
Pra deri në 10 pjesëmarrësit e parë të Kampionatit Botëror “Katari 2022” është e thjeshtë.
- - - - - HAPI I DYTË:
Të gjitha skuadrat/shtetet/kombëtaret që përfundojnë në vend të dytë të grupeve (prej A deri në J) - pra ato që përfundojnë në vendet e dyta të 10 grupeve kualifikuese - marrin biletën për PlayOff.
Në PlayOff, këtyre 10 vendeve të dyta nga kualifikimet e rregullta u bashkohen edhe dy kombëtaret fituese të grupeve të tyre në Ligën e Kombeve, bazuar në renditjen e përgjithshme të Ligës së Kombeve. Kjo në total numrin e ekipeve pjesëmarrëse në PlayOff e çon në 12.
Këta 12 playoffistë formojnë 3 rrugë PlayOffi (A, B, C) me nga 4 skuadra, ku fituesi i secilit PlayOff (A, B, C) do të sigurojë biletën për “Katari 2022”. Kështu bëhen 13 pjesëmarrës nga Evropa në Botërorin “Katari 2022”.
- - - - - POR, CILAT DO TË JENË 2 SKUADRAT QË VINË NGA LIGA E KOMBEVE?
Aktualisht nuk mund të dihen dy skuadrat që do të marrin pjesë në PlayOff të Botërorit për “Katari 2022” nga Liga e Kombeve.
Së pari duhen përfunduar kualifikimet e rregullta për Botëror, që marrin fund në nëntor të vitit 2021. Kur sqarohen fituesit e grupeve (që shkojnë direkt në Botëror = 10 skuadra) dhe vendet e dyta (që sigurojnë PlayOffin = 10 skuadra) atëherë do të dihen 2 skuadrat që vijnë nga Liga e Kombeve në PlayOff.
- - - - - GJASAT E SHQIPËRISË NGA LIGA E KOMBEVE SI FITUESE E GRUPIT 4 TË LIGËS C TË KOMBEVE 20/21?
A ka gjasa Shqipëria të futet në PlayOff për Botëror nga Liga e Kombeve? Gjasa ka, por është vështirë, shumë vështirë. Pse? Sepse për të hyrë Shqipëria në kombinim për 2 vendet që çojnë në PlayOff nga Liga e Kombeve duhet që të gjithë fituesit e grupeve të Ligës së Kombeve më të mira se kjo e Shqipërisë, të sigurojnë biletën direkt ose vendin e dytë në kualifikimet e rregullta, që t’i hapin rrugë kuqezinjëve.
Franca, Belgjika, Italia, Spanja (fitues të grupeve të tyre në Ligën A), Uellsi, Austria, Çekia, Hungaria (fitues të grupeve të tyre në Ligën B) si dhe njëra nga fitueset me bilans më të mirë se Shqipëria në Ligën C (Sllovenia ose Mali i Zi) - të zënë njërën nga dy pozitat e para në grupet e tyre në kualifikimet e rregullta për Botëror.
Krejt kjo, për të shkuar kuqezinjtë në PlayOff për Botërorin në “Katari 2022” nga Liga e Kombeve.
Për Kosovën arritja në Botëror nga Liga e Kombeve - s’është e mundur, pasi që nuk e kanë fituar grupin e tyre në Ligën C të Kombeve.
- - - - - MË E LEHTA dhe MË E QARTA
Për të mos hyrë fare në kombinim për matematikat e Ligës së Kombeve si fituese e Grupit 4 të Ligës C, Shqipëria thjesht do të duhet të arrijë pozitën e dytë në grupin e saj kualifikues - dhe siguron PlayOffin për Botërorin “Katari 2022”.
E nëse arrihet pozita e parë - s’po flasim.
- - - - - SHORTI dhe VAZOT E KUALIFIKIMEVE TË RREGULLTA
Shorti për grupet kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” do të hidhet në Zurich, më 7 dhjetor në ora 18:00.
VAZO 1: Belgjika, Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Italia, Kroacia, Danimarka, Gjermania, Holanda.
VAZO 2: Zvicra, Uellsi, Polonia, Suedia, Austria, Ukraina, Serbia, Turqia, Sllovakia, Rumania.
VAZO 3: Rusia, Hungaria, Irlanda, Çekia, Norvegjia, Irlanda e Veriut, Islanda, Skocia, Greqia, Finlanda.
VAZO 4: Bosnja e Hercegovia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bullgaria, Izraeli, Bjellorusia, Gjeorgjia, Luksemburgu.
VAZO 5: Armenia, Qiproja, Ishujt Faroe, Azerbajxhani, Estonia, Kazakistani, Kosova, Lituania, Letonia, Andorra.
VAZO 6: Malta, Moldavia, Lihtenshtajni, Gjibraltari, San Marinoja.
Në short, 5 grupet e para (prej A deri E) do të jenë me nga 5 pjesëmarrës, ndërsa 5 grupet e dyta (prej F deri J) do të jenë me nga 6 pjesëmarrës.
4 kombëtare të sigurta në 5 grupet e para janë Franca, Belgjika, Spanja dhe Italia, si pjesëmarrëse në FinalFour të Ligës së Kombeve. Kjo është bërë me qëllim që këto skuadra të zhvillojnë më pak ndeshje në grupe, ashtu që në muajin tetor të jenë të lira për të luajtur për trofeun e Ligës së Kombeve 20/21.