KOSOVA-HAITI
Siguri e lartë, biletat pa gjasa falsifikimi
25 February, 2014 @15:02
Në konferencën e sotme për shtyp të thirrur nga Federata e Futbollit të Kosovës janë bërë të ditura masat e sigurisë dhe kryesisht çështjet teknike lidhur me ndeshjen Kosova-Haiti, që do të zhvillohet në stadiumin Adem Jashari të Mitrovicës më 5 mars, të mërkurën e ardhshme.
Siguri e lartë
Përveç përfaqësuesve të kompanisë organizuese të pranishëm në konferencë kanë qenë edhe sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu bashkë me zëdhënësin e FFK-së, Fazli Berisha.
Aty është bërë e ditur se ndeshja Kosova-Haiti do të zhvillohet në masa të mëdha të sigurisë, derisa do të bëhen edhe rrethojat e ulëta prej nga do të qasen adhuruesit në këtë ndeshje historike.
Biletat e mbrojtura
Sa i përket biletave, që pritet të dalin së shpejti në shitje, organizatori ka njoftuar se ato nuk kanë gjasa të falsifikohen dhe se çdonjëra prej tyre do të skenohet në hyrje.
“Nuk ka gjasa falsifikimi të biletave. Ato janë të mbrojtura me hologram si dhe me kodin e sigurisë, që skenohet në hyrje,” është thënë në këtë konferencë që u përcoll nga një numër i madh i gazetarëve nga vendi.
Lista e lojtarëve, më 2 mars
Kamerat e shumta ishin të pranishme në këtë konferencë derisa përkundër kërkesës së gazetarëve dhe kritikave lidhur me mostregimin e ftesave ndaj lojtarëve nga përfaqësuesja, zyrtarët e FFK-së kanë thënë se çdo gjë do të bëhet e ditur më 2 mars, kur edhe publikohet lista përfundimtare e Albert Bunjakit.
Kosova do të ndeshet me Haitin më 5 mars, që do të shënohet në histori si ndeshja e parë e Kosovës zyrtare miqësore ndërkombëtare e pranuar nga FIFA.