PRISHTINA - DRITA

Drita në festë pas golit të Xhevdet Shabanit/ Foto: Drita FC
S’ka dritë për Prishtinën!
20 August, 2017 @18:50
Përforcimet e bujshme të afatit kalimtar, nuk kanë dhënë rezultat për Prishtinën në ndeshjen e javës së parë në Superligë.
Bardhekaltërit në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas, u mposhtën me rezultat minimal nga skuadra e Dritës.
Shkaktari kryesor për humbjen e Prishtinës ishte sulmuesi i Dritës i transferuar nga Besa, Xhevdet Shabani, i cili pas kombinimeve të bukura nga futbollistët gjilanas mbeti ballë për ballë me portierin e Prishtinës, Visar Bekaj dhe me mjeshtëri arriti të shënojë në minutën 32’ të ndeshjes.
Prishtina iu afrua golit më së shumti në minutën 61’, por kongolezi Gauthier Mankenda ishte i pafat, pasi goditja e tij me kokë u ndal në shtyllë.
Trajneri i Prishtinës Arsim Thaqi u mundua të intervenoj në lojë duke i shfrytëzuar të tre zëvendësimet, por që as kjo nuk ndikoi në ndryshimin e rezultatit, duke bërë që tri pikët e kësaj ndeshjeje t’i takojnë skuadrës së Dritës.
Drita në ndeshjen e ardhshme do të jetë mysafire e Besës, derisa Prishtina do të luajë derbin lokal me skuadrën e rikthyer në Superligë, Flamurtarin.