NË RADAR
Skautët pas Cikalleshit
5 December, 2014 @13:01
Derbi i Splitit, ndërmjet ekipin të njohur Hajduk dhe RNK Split, do të vëzhgohet nga një numër i madh i skautëve nga Europa.
Njoftimin e ka dhënë Sport Dalmacija, derisa aty bëhet e ditur se skautët nga ekipet e Paris St Germain, Bordeaux, Lille, Southampton dhe Borussia Dortmund, do të jenë në stadiumin Poljud për të parë nga afër sulmuesin e kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi.
Sokoli milionësh
Cikalleshi, që po shkëlqen në stinorin e parë të tij me Splitin në ligën elite të futbollit kroat iu vu në sy ekipeve të huaja pas ndeshjes Franca-Shqipëria.
Ai në verë të këtij viti u largua nga Kukësi për në Split për 100 mijë euro dëmshpërblim, derisa tani Split ia ka vendosur çmimin e kartonit të lojtarit hiq më pak se 4 milionë euro!
Golat s’po ndalen
Sokoli 24 vjeç ka shënuar 6 gola në ligën elite të Kroacisë pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, derisa një tjetër e ka shënuar edhe në Kupë të Kroacisë.
Ai ka shënuar 8 paraqitje për kombëtaren shqiptare, derisa në kualifikimet për EURO 2016 është paraqitur dy herë dhe në të dyja si zëvendësues i Bekim Balajt.
Derbi i qytetit dalmatin luhet të dielën me fillim në ora 17:00. Hajduku është i treti në tabelë, derisa Spliti i gjashti, me 6 pikë më pak se kundërshtari lokal.