TRAJNERI I TRETË KËTË STINOR
Skender Shengyli rikthehet te Liria
20 January, 2020 @21:38
Skuadra e Lirisë së Prizrenit që po tenton të rikthehet në Superligë këtë stinor nga Liga e Parë, mësohet të ketë emëruar Skender Shengylin trajner të ekipit për edicionin pranveror të garave të Ligës së Parë.
Skuadra përgjatë dhjetorit e janarit më shumë kishte probleme administrative, që ndikuan edhe në rezultatet e ekipit, por edhe në largimin e trajnerit të dëshmuar për ngritje të skuadrave në elitë, Samuel Nikaj.
E tash, PrizreniSot ka bërë të ditur se ekipi ka arritur marrëveshje me Shengylin, që përgjatë karrierës së tij si trajner disa herë ka drejtuar skuadrën bardhezi nga Prizreni.
Njëjtë, puna e Lirisë me Shengylin është bërë e ditur se do të nis nesër, derisa nga skuadra janë larguar disa lojtarë në drejtim të ekipeve të Superligës.
Liria ende s’ka zyrtarizuar njoftimin përmes kanaleve të saja të komunikimit, pasi që web faqja e ekipit ka mbetur me informata të moçme, e informatë pos disa stërvitjeve, së fundi nuk kishte as në llogarinë e ekipit në Facebook e Instagram.
Sidoqoftë, Shengyli pritet të jetë trajneri i tretë i Lirisë këtë stinor, pasi që pas largimit të shkodranit Nikaj nga detyra, në xhirot e fundit të pjesës vjeshtore të stinorit, ekipi u drejtuar nga Alban Shala.