LIGUE 1
Skuqet Franca!
29 April, 2013 @14:59
Goli i hershëm i Javier Pastores ishte i mjaftueshëm për Paris St Germainin që të shënojë fitore ndaj Evianit mbrëmë, mirëpo kartonat e kuq i dhanë hije të keqe takimit dhe Ligue 1.
Së pari, David Beckham, morri një karton të kuq të drejtpërdrejtë të jashtëzakonshëm, i cili sipas referit Olivier Thual, ishte tepër i ashpër.
Në fakt David Beckham pas një bllokimi të kundërshtarit, Youssef Adnane, u duk se e kishte fituar topin pastër, derisa ky i fundit me një reagim teatral bindi referin se Beckham e meritonte të kuqen.
Para Beckhamit, edhe Marco Verratti kishte marrë dy të verdha, ku e dyta ishte për shkak se demonstrativisht goditi topin pas një vendimi të referit. E krejt në fund skenat bizare kur Saber Khalifa i Evianit dhe Salvatore Sirigu i PSG-së u ndëshkuan pas përfundimit të ndeshjes kur vluan gjakrat.
Paris St Germain duhet të fitojë vetëm edhe një pikë xhiron e ardhshme për t’u shpallur edhe zyrtarisht kampion, katër xhiro para përfundimit të stinorit në Francë.