KUPA E KOSOVËS: VUS-LIR

S’mjaftoi Toungara, Vushtrria eliminoi Lirinë
14 February, 2018 @20:23
Edhepse në Ligë të Parë, me organizimin që kanë bërë dhe me synim Superligën, Vushtrria sot përkundër se ka qenë në disavantazh ndaj Lirisë së Prizrenit, ka arritur të barazojë dhe të kthehet në ndeshje.
Goli i shënuar nga përforcimi i fundit i Lirisë, Ibrahima Toungara 0-1, është neutralizuar nga Labinot Osmani me përvojë pak para fundit të kohës së rregullt.
“Nuk ishim në elementin e duhur sot, kjo mjafton. Penalltitë janë fat,” ka thënë ndër të tjera trajneri i Lirisë, Bledi Shkëmbi, që i uroj kualifikikim kundërshtarit.
E kur ekipet nuk gjetën golin as pas vazhdimeve, kanë qenë penalltitë që çuan Vushtrrinë e Isa Sadriut drejt çerekfinales së Kupës.
Terreni i rënduar me lloç i pengoi të dyja skuadrave që të bëjnë lojë më të mirë, por në fund, pas një serie prej 14 penalltive të shutuara, Vushtrria fitoi 6-5 pasi që Dragusha kishte shënuar, e Rroni Gashi i Lirisë pa topin e tij të dëbohet nga portieri Burim Sadiku i vushtrriasve.
“Liria shpëtoi në pjesë të parë, pasi që vetëm falë terrenit të rënduar ne nuk arritëm të shënonim 3-4 gola… E merituan djelmoshat të kalojnë këtë xhiro,” ka thënë i gëzuar pas ndeshjes Sadriu, trajner i Vushtrrisë.
Vushtrria do të mësojë rivalin çerekfinal, të premten në ora 14:00, kur edhe tërhiqet shorti për këtë fazë.