SUPERKUPA

REUTERS
Super Bayern
30 August, 2013 @23:16
Bayern ka arritur të fitojë Superkupën e parë europiane duke e mposhtur Chelsean vetëm pas penalltive. Ka qenë portieri Manuel Neuer, që ka mbrojtur penalltinë e fundit të Chelseat të shutuar nga Romelu Lukaku.
Bayern përgjithësisht ka dominuar ndeshjen. Por Chelsea me një kundërsulm të shpejtë në minutën e nëntë të takimit ka arritur të shënojë pas një kombinimi Eden Hazard, Andre Schurrle, ku Fernando Torres shënon mjeshtërisht me volej.
Edhe pjesa e dytë nisi me dominim të Bayernit, ku lojtari më i mirë europian, Franck Ribery, paralajmëron shtypje të madhe te londinezët duke barazuar shpejtë në 1-1. Tentimet e tjera të shumta të Bayernit nuk dhanë gol, ndërsa kundërsulmet e Chelseat nuk ishin të frytshme.
Pak para përfundimit të kohës së rregullt, braziliani Ramires ndëshkohet me karton të dytë të verdhë për të lënë ekipin e tij me dhjetë veta në fushë në vazhdime.
Kjo nuk i pengoi Chelseat që nëpërmjet një depërtimi vetanak të Eden Hazardit të shënojë për 2-1. Bayern mbylli Chelsean në portë që vetëm në saje të Petr Cech shpëtonte rastet e qindpërqindta.
Sekondat e fundit të vazhdimeve ngjallën dramën, kur pas një karamboli në zonë, Javi Martinez barazon 2-2.
Xherdan Shaqiri u fut nga minuta e 95-të në lojë dhe pati një rast, kur shuti i tij u bllokua nga mbrojtja londineze dhe përfundoi jashtë porte.
FAKT:
Bayern Munchen bëhet skuadra e parë gjermane që ka fituar trofeun e Superkupës europiane në futboll. |