US
Superekipe në superturne!
16 April, 2013 @23:59
Gjigandi spanjoll, Real Madrid dhe kampioni italian, Juventus, do t’i bashkohen Interit dhe Los Angeles Galaxy, për turneun International Champions Cup.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë destinacioni kryesor për ekipet europiane për të zhvilluar ndeshjet përgatitore parasezonale. Ndërsa paraja amerikane dhe turneu, do ta sjellin këtë turne në një garë sfiduese për të gjitha skuadrat e mëdha.
Miliarderi Stephen Ross, pronar i skuadrës së NFL, Miami Dolphins, ka thënë se turneu do të dallojë nga miqësoret parasezonale duke përdorur formatin eliminues dhe duke ofruar para të mëdha për fituesin.
Kampioni i shtatëfishtë europian, Milan dhe gjigandi turk, Galatasaray, bashkë me dy skuadrat e para në renditje të Premier League, janë në bisedime për t’iu bashkuar këtij turneu.
Marrëveshja televizive është arritur me Fox Soccer Channel në SHBA, që pret të fitojë miliarda nga të drejtat televizive.
Detajet e plota për turneun e ri të futbollit, bashkë me stadiumet pritet të përfundojnë gjatë muajit të ardhshëm, por finalja do të mbahet patjetër në Miami, në stadiumin e delfinëve të NFL-it, në fillim të gushtit.