MEDIA TALK
Swansea, destinacion i radhës për Celinën?
19 July, 2018 @23:21
Futbollisti i krahut të reprezentacionit të Kosovës, Bersant Celina, që është lojtar i Manchester Cityt dhe stinorin e kaluar ka qenë i huazuar te Ipswich Town, mund të përfundojë në Swansea City.
Njoftimin e ka bërë të ditur MCFC Watch sot, duke u bazuar në artikujt e Manchester Evening News dhe Daily Mail. Ardhja e Riyad Mahrezit është thënë të jetë njëra ndër arsyet pse nuk do të ketë vend për Celinën në ekip.
Por, City nuk dëshiron t’i humb talentët e vetë dhe me shitjen prej 3-4 milionë funtave, do të kërkojë që në kontratë të jetë edhe mundësia për ri-blerje të lojtarit dhe ri-shitjes.
City më parë kishte shitur spanjollin e ri Pablo Maffeo në drejtim të Stuttgartit për 10 milionë euro, mirëpo në kontratë kanë mundësinë për ri-blerjen e lojtarit për 20 milionë dhe në rast se Stuttgart ia shet dikujt tjetër, 25% të fitimit nga transferi do t’i takojnë kampionëve të fundit të Anglisë.
Celina 21 vjeç kishte pasur stinor të mirë te Ipswich, duke shënuar 7 gola në 32 paraqitje.