SPECIALE

Tabela përfundimtare e Superligës së Kosovës 2000/01
12 April, 2020 @11:34
Prishtina mori edhe titullin e dytë të pasluftës në Kosovë. Bardhekaltërit me 18 fitore e 9 barazime karshi vetëm 3 humbjeve përgjatë gjithë stinorit përfunduan me 6 pikë më shumë sesa ndjekësi i parë i tyre, Gjilani, që kreu stinorin me 57 pikë.
Prishtina që kishte ndarë rrugët me Ajet Shoshollin, në këtë stinor drejtohej nga një tjetër emër i njohur i klubit, Jusuf Tortoshi.
LUFTË E MADHE PËR MBIJETESË
Besiana e drejtuar nga Bylbyl Sokoli kishte përfunduar e treta, ndërsa Drita e Liria pas saj.
Dy të rënit nga elita e futbollit, ishin shkëputur heret në klasifikim. Besëlidhja me vetëm 14 pikë nga 30 xhiro si dhe Rahoveci me vetëm 6 pikë nga po aq xhiro - diheshin që moti gjatë stinorit që do të përshëndeten.
Por lufta për të qenë pjesë e elitës ishte e madhe te skuadrat tjera. E kësaj për një pike s’i mbijetoi Vëllaznimi i Gjakovës dhe vetëm me golaverazh ra poshtë Ferizaji.
Vëllaznimi kishte mbyllur stinorin me 41 pikë, Ferizaji me 42, sa kishte edhe Besa e Pejës, një pozitë më lartë - por që shpëtoi pejanët.
SHKURTIMI I PJESËMARRËSVE NË ELITË
Kështu, pas shkurtimit të Ligës së Parë nga 18 në 16 skuadra, në këtë stinor u bë shkurtimi nga 16 në 14 skuadra, pasi që për të dytin stinor radhazi nga elita ranë 4, ndërsa u inkuadruan vetëm 2 skuadra (Dukagjini i Klinës dhe Vëllazëria e Zhurit).
KUPA E KOSOVËS
Kupën në këtë stinor e fitoi Drita, që në finalen e zjarrtë ndaj rivalit të përbetuar të saj Gjilanit kishte fituar me penallti 7-6, pasi që ndeshja në kohë të rregullt kishte përfunduar 1-1.
TROFETË
Kështu, derisa Prishtina kishte mbrojtur titullin e vitit 2000 edhe në vitin 2001, Gjilani që kishte fituar Kupën në 2000, humbi finalen e 2001 ndaj Dritës.
Gjilani mund të thuhet se ishte skuadra më e pafat e stinorit, pasi që edhe në kampionat edhe në Kupë - ishte përpak të dy trofeve - dhe në fund, s’e arriti asnjërën.
Më pas në duelin e Superkupës 2001, Prishtina mposhti Dritën 3-0 për të mbyllur sezonin me dy trofe të fituara.
TABELA PËRFUNDIMTARE 2000/2001
1.Prishtina KF 30 - 18 - 9 - 3 53-19 63p - - - 2.Gjilani KF 30 - 17 - 6 - 7 60-24 57p 3.Besiana (Podujevë) 30 - 16 - 4 - 10 62-39 52p 4.Drita KF (Gjilan) 30 - 16 - 6 - 8 41-25 51p [-3] 5.Liria KF (Prizren) 30 - 13 - 7 -10 59-40 46p 6.Trepça '89 KF (Mitrovicë) 30 - 14 - 4 - 12 45-37 46p 7.Llapi KF (Podujevë) 30 - 15 - 1 - 14 36-48 46p 8.Kosova KF (Prishtinë) 30 - 13 - 6 - 11 47-35 45p 9.Drenica KF (Skenderaj) 30 - 13 - 5 - 12 47-41 44p 10.Flamurtari KF (Prishtinë) 30 - 13 - 5 - 12 39-37 44p 11.Kosova KF (Vushtrri) 30 - 14 - 2 - 14 41-41 44p 12.Besa KF (Pejë) 30 - 13 - 3 - 14 50-57 42p - - - - - - - - - - - 13.Ferizaj KF 30 - 13 - 3 - 14 40-52 42p 14.Vëllaznimi (Gjakovë) 30 - 13 - 2 - 15 36-42 41p 15.Besëlidhja (Prishtinë) 30 - 4 - 2 - 24 21-75 14p 16.Rahoveci KF 30 - 1 - 3 - 26 18-83 6p (burimi: sport soccer statistics) i: pas emrit të ekipit në kllapa është i shkruar qyteti, pastaj radhazi shifrat tregojnë: numrin e ndeshjeve të stinorit, fitoret, barazimet, humbjet, goldallimin dhe pikët e fituara. |