FERRONIKELI
Të dimërosh si kampion, pa shtëpi
24 November, 2014 @10:37
Posa ia nisi stinori, Ferronikeli, që nuk synonte shumë përveç një mesi të tabelës së Superligës, pësoi një goditje të rëndë.
Ishte Hajvalia që i mposhti keq djelmoshat e Gani Sejdiut në nismë të kampionatit, kur i goditi 5-2.
Mirëpo, që ekipi i fortë ka moral dhe mentalitet të fituesit e rikthehet - këtë më së miri e kanë treguar nxënësit e Sejdiut.
Kampion pa stadium!
E për ta bërë të gjithën edhe më interesante dhe historike, është flijimi që e bënë këta lojtarë - duke mos luajtur asnjëherë si vendas të vërtetë.
Kjo pasi që Ferronikeli nuk ka terren të vetin dhe stadiumi i tyre në Drenas është duke u renovuar.
Tabela e stinorit vjeshtor të Superligës dhe rezultatet e ndeshjeve
Me 7 fitore, 7 barazime dhe 2 humbje (e dyta nga Drenica), Ferronikeli ka arritur që të shkruajnë histori në klubin e tyre.
Më meritorët
Gjashtëmbëdhjetë xhirot e para dhe mbyllja e stinorit vjeshtor nga Federata, pa Ferronikelin kampion vjeshtor - që u festua me të madhe te kampionët pa shtëpi.
“Ndihem i privilegjuar dhe i gëzuar, që kam pasur rastin të punojë me futbollistë që kanë karakter, janë të disciplinuar dhe profesionistë. Meritat ekskluzive për suksesin e arritur i kanë futbollistët, ndërkohë një falenderim i shkon edhe tifozëve ‘Tigrat e Zi’ që na kanë mbështetur vazhdimisht,” ka thënë trajneri mitrovicas për Sport Plus që shkroi histori me klubin drenicak, Gani Sejdiu.
Statistikisht, Ferronikeli nuk ka humbur asnjë ndeshje jashtë ‘terrenit’ të vetë të përkohshëm, Bajram Aliu. Fitoren më të thellë e shënuan ndaj Istogut dhe Dritës, me nga 3-1.
Çdokush shënon
Sejdiu nuk ka golashënues prej të cilit varet.
Te Ferronikeli shënon çdokush, derisa me nga 3 gola Isa Eminhaziri, Behar Maliqi dhe Përparim Livoreka - janë pak më të avancuar se të tjerët në listë.
Pa harruar të gjithë lojtarët që derdhin djersë për ekipin, portierin që mbron ndonjëherë ato që nuk mbrohen, Granit Kolshi - Ferronikeli me meritë është në krye të Superligës dhe do të dimërojë si kampion.