PERU
Të varur nga veteranët
Shkruan: LUAN MORINA
13 June, 2018 @10:44
Po të pyesni dikë të ju përmend dhjetë kombëtaret më të mira në botë, zor që do të përfshinin Perunë, as tash, as në nëntor të vitit të kaluar kur ishte e dhjeta në botë. Ricardo Gareca nuk ishte pjesë e Argjentinës kampione të botës në vitin 1986, por ishte pjesë e katër ekipeve më të mëdha në Argjentinë – Boca Juniors, River Plate, Velez, e Independiente. Gareca ishte dhe kampion kolumbian me America Cali, me të cilët ishte tre herë edhe në finale të Kupës Libertadores.
Një karrierë e zgjeruar në vendet e Amerikës Jugore duhet të ketë ndihmuar Garecan të mbledh filozofinë e mjaftueshme për të bërë çudira me këtë ekip të Perusë. Gareca ka bërë një vijë mbrojtëse me filozofi argjentinase, derisa mesfushën e shfrytëzon për të pajisur me topa dy nga lojtarët më të njohur të kësaj kombëtareje – Jefferson Farfan dhe Paolo Guerrero.
BENZOILEKGONINA
Ky i fundit ka qenë temë e mediave për shkak të suspendimit nga FIFA dhe WADA për një vit, në dhjetor të vitit të kaluar. Krejt kjo pasi ishte gjetur të ketë përdorur benzoilekgoninë, një metabolit që gjendet në kokainë. Dënimi i ishte reduktuar në gjashtë muaj, pastaj i ishte rikthyer për 14 muaj nga WADA. Në fund të majit ishte suspenduar suspendimi i tij, duke i mundësuar të paraqitet në Kupën e Botës.
Paolo Guerrero është ndër pak lojtarët peruanë që mund t’i njohim. Nga Bayern kishte kaluar tek Hamburger SV ku kishte qëndruar deri në vitin 2012. Atëherë kishte kaluar në Corinthians, ku pas katër viteve kishte kaluar tek Flamengo. Ndonëse qendërsulmues, në vetëm një sezon ka arritur numrin prej 20 golave, dhe atë vitin e kaluar me Flamengon, kur kishte fituar Cariocan. Për Perunë, në 87 ndeshje ka shënuar 34 gola.
FARFANI
Nëntë gola më pak në 4 ndeshje më pak, për Perunë ka shënuar një tjetër lojtarë që ka kaluar karrierën në Schalke dhe PSV. Jefferson Farfan ka udhëhequr Lokomotivën e Moskës drejt titullit të parë të kampionit pas 14 viteve. Farfan njihet për periudhën në PSV kur me ekipin holandez ishte pjesëmarrës i rregullt i fazës së dytë, duke arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Katër tituj dhe një Kupë kishte në Holandë para se të kalonte tek Schalke ku mori vetëm një kupë.
4-2-3-1
Në formacionin e Carecas, Farfani vendoset pas Guerreros, në treshen gjysmë-sulmuese, duke lëvizur në pozitat në cilindo prej tre krahëve. Në njërin krahë është një emër i njohur për shikuesit e Premier League, Andre Carrillo i ardhur këtë vit në Watford. Krahu i tretë pas Guerreros, i cili është edhe kapiten, ndryshon shpesh. Nuk janë të rralla ndeshjet kur Gareca vendos katër mesfushorë, para një gjysmëmbrojtësi. Zakonisht në pozitën e mesfushorëve defensiv janë Renato Tapia i PSV, dhe Yoshimar Yotung i Orlando Cityt. Veterani tjetër, Alberto Rodriguez udhëheq mbrojtjen e cila përfshinë rregullisht Miguelët – Traucon dhe Araujon.
TEO
Teofilo Cubillas vlerësohet si lojtari më i mirë në histori të Perusë. Mesfushori peruan kishte qenë pjesë e tri Kupave të Botës me Perunë, duke fituar Copa American në vitin 1975, që është suksesi i fundit në këtë garë. Që nga atëherë, tri medalje të bronzta kanë qenë maksimumin në këtë garë për Perunë.
Në të 70tat, në Kupën e Botës, Peru do të dilte të kualifikohej dy herë në rrethin e dytë. Në vitin 1970 kishin mposhtur Bullgarinë e Marokun, para se të humbnin nga Gjermania Perëndimore. Në çerekfinale Brazili i Peles do t’i mposhte me rezultat 4-2.
Tetë vite më vonë, do të fitonin kundër Skocisë e Iranit, ku nga shtatë gola, Cubillas do të shënonte pesë, para se të barazonin me Holandën. Në rrethin e dytë, tri humbje radhazi, asnjë gol i shënuar karshi dhjetë golave të pësuar nga Brazili, Polonia, e Argjentina, ishte një rezultat i kobshëm, që s’do të lahej as katër vite më pas.
Në Spanjë, me shkëndijat e fundit të gjeneratës së artë, do të merrnin vetëm dy pikë – ndaj Kamerunit, e kampionëve të atij viti Italisë, para se të shkonin në shtëpi pas debaklit 1-5 prej Polonisë.
Titulli i parë në Copa America kishte ardhur në vitin 1939. Nëntë vite më parë, kishin qenë pjesëmarrës në Kupën e parë të Botës në Uruguai. Humbja nga vendasit dhe Rumania i kishte eliminuar qysh në fazën e grupeve, për të cilin ishin ftuar në mungesë të ekipeve evropiane.
RUSIA 2018
Kundër Danimarkës kërkojnë fitoren e pestë, dhe shtytjen drejt rrethit të dytë. Shumëçka për Perunë varet nga kjo ndeshje, dhe forma e mirë me të cilën vijnë në këtë Kupë të Botës, shtuar me rikthimin e Guerreros do të jetë motivim i mjaftueshëm për peruanët për të provuar kualifikimin. Ndeshja ndaj Francës padyshim që duhet të jetë më e zorshmja, para se të mbyllin këtë aventurë në Stadiumin Olimpik të Soçit. Nuk janë pa shanse për rrethin e dytë, në të cilin mund të takohen me fituesin e grupit D, me shumë gjasë Argjentinën.