VIKINGËT
Kapaciteti i limituar danez
Shkruan: Luan MORINA
12 June, 2018 @20:15
A është punë e kryer?
1992
Çfarë ndjenje është kur ke arritur maksimumin që do ta arrish në histori?
Suksesi i Danimarkës nga 26 vite më parë s’do të përsëritet me gjasë kurrë! Kampionët evropian të vitit 1992, të kualifikuar vetëm pas sanksioneve ndaj ish-RSFJ-së, kishin dështuar të kualifikohen edhe në Kupën e Botës dy vite më parë në Itali, edhe dy vite më vonë në SHBA.
1998-2002
Gjashtë vite më vonë, në Francë, kishin kaluar grupin pas barazimit të Afrikës Jugore dhe Arabisë Saudite. Në ndeshjen e parë të grupit C, goli i qendërmbrojtësit të West Ham dhe Celtic, Marc Rieper, iu kishte sjellë fitoren e vetme në grupe. Gjenerata në perëndim e Laudrupëve, Schmeichel, Nielsen, e Heintze, do të arrinte vetëm një barazim me Afrikën Jugore.
ORARI DHE GRUPET - RUSSIA 2018
Goli i vetëm kishte ardhur nga sulmuesi i Tottenhamit atëbotë, Allan Nielsen, i cili kësaj radhe kishte startuar që nga minuta e parë. Dy kartonë të kuq do të lënin danezët me vetëm një lojtar më pak se afrikano-jugorët vetëm në 5 minutat e fundit kur ishte përjashtuar Wieghorst. Molnar ishte larguar në minutën e 66-të, për t’u përcjellë dy minuta më pas nga Alfred Phir i Afrikës Jugore. Kundër Francës, Michael Laudrup kishte shënuar golin e vetëm nga penalltia, në humbjen 1-2.
Të kualifikuarit si të dytët nga grupi C, danezët në rrethin e dytë kishin gjetur përballë Nigerinë që kishte fituar grupin D, para Paraguajit, Spanjës, e Bullgarisë. Kundër kombëtares që i shënoi tre gola për tre pikë spanjollëve, Danimarka shënoi katër gola. Moller e Brian Laudrup në çerek-orën e parë kishin krijuar epërsi e cila u dyfishua në pjesën e dytë me golin e sulmuesit të Schalkes, Ebbe Sand, dhe mbrojtësit të Milanit, Thomas Helveg. Katër me një qe rezultati përfundimtar.
ORARI DHE GRUPET - RUSSIA 2018
Çerekfinalja ishte njëra nga ndeshjet më të mira të Kupës së Botës në Francë. Brazili me Bebeton e Rivaldon kishte shkrirë epërsinë e danezëve të siguruar ngjashëm si me Nigerinë, në tre minutat e parë me anë të Jorgensenit. Brian Laudrup përsëri kishte shënuar për të barazuar rezultatin, i cili do të përmbysej përsëri me Rivaldon.
Deri më sot, Franca 1998 mbetet Kupa e Botës më e suksesshme për Danimarkën. Në Kore Jugore katër vite më pas kishin përfunduar rrethin e parë eliminator duke rënë nga Anglia me rezultat 0-3 falë golave të dyshes Owen-Heskey, ndihmuar nga një gol i Rio Ferdinand.
HISTORI NËN-MESATARE
Pas mungesës në Gjermani, humbja nga Japonia në ndeshjen e fundit në grupe i kishte eliminuar në Afrikë Jugore. Holanda kishte përfunduar grupin e para.
Paraqitja e parë në Kupën e Botës kishte qenë në vitin 1986, kur kishin arritur në rrethin për t’u mposhtur nga Spanja e Butraguenos i cili kishte shënuar katërgolësh në fitoren 5-1 të ‘furisë së kuqe’. Kjo është humbja më e rëndë e danezëve në Kupën e Botës.
Për herë të parë në kualifikime ishin paraqitur për në Kupën e Botës në Suedinë mike në vitin 1958. Katër ndeshje, katër humbje, 4-13 me gola ndaj Anglisë dhe Republikës së Irlandës kishte qenë bilanci i kualifikimeve që kishte lënë jashtë danezët. Pos në vitin 1962, danezët kanë qenë të rregullt në garat kualifikuese për Kupën e Botës në futboll.
KONFEDERATAT
Ndonëse historia në garat e Kupës së Botës nuk është aq e begatshme, Danimarka është një nga fituesit e Kupës së Konfederatave. Këtë sukses e kishin arritur në vitin 1995, kur kjo garë për herë të dytë dhe të fundit ishte organizuar nga Mbreti i Arabisë Saudite, Fahd bin Abdulaziz Al Saud, shkurtimisht Kupa e Mbretit Fahd. Fitorja në penallti ndaj Meksikës në kuadër të Grupit A, kishte avancuar Danimarkën në finalen të cilën e kishin fituar me rezultat 2-0 ndaj Argjentinës. Michael Laudrup e Peter Rasmussen kishin shënuar golat për Danimarkës, karshi Argjentinës që përbëhej nga ekipi më i mirë me Batistutën, Ortegën, Chamotin, Ayalan, e edhe Javier Zanettin.
Në Rusi vijnë pas fitores 5-1 në Dublin kundër Irlandës, pas rezultatit pa gola si vendas, në përballjen e playoffs. Humbjet nga Polonia e Mali i Zi në tetor të vitit 2016, janë humbjet e fundit të Danimarkës në ndeshjet zyrtare.
TRAJNERI
Aage Hareide është trajner që ka fituar titullin kombëtar në tri nga katër ligat skandinave. Ka udhëhequr Norvegjinë gjatë viteve 2003-2008, pa u kualifikuar në asnjë garë ndërkombëtare. Në krye të Danimarkës ka ardhur pas kualifikimeve për Kampionatin Evropian, kur ishte zëvendësuar Morten Olsenin.
EKIPI
Këtë verë, bileta në Rusi do të ndahet ndërmjet atyre që kanë përvojë dhe një grupi të përbërë prej talenteve ndër më të mirët në Evropë. Dy nga ta janë qendërmbrojtësi i Chelsea-t, Andreas Christensen, dhe sulmuesi i Ajax-it, Kasper Dolberg.
ORARI DHE GRUPET - RUSSIA 2018
Në portë, pozita e Schmeichel duket të jetë e parrezikuar. Riza Durmishi, i lindur në Danimarkë në një familje shqiptare pritet të jetë i pakonkurrent në krahun e majtë të mbrojtjes.
Pos Dolbertit, në sulmin e Danimarkës do të duhej të ishin edhe Andreas Cornelius i Atalantës, Yussuf Poulsen i RB Leipzig.
RUSIA 2018
Në një grup me Peru-në ndaj të cilëve hapin Kupën e Botës, Australisë me të cilët ndeshen në xhiron e dytë dhe favoritëve për titull, Francës, Danimarka do të duhej të kalonte në rrethin eliminator. Aty do të duhej t’i priste fituesi i grupit D – Argjentina, Kroacia, Islanda, Nigeria! Në rast të kualifikimit, me cilëndo nga këto kombëtare, kjo do të ishte një super-ndeshje e rrethit të dytë, me 1 korrik, e diel, ora 8.