ME MIREL JOSËN NË KRYE
Thënia e Fergusonit, po zbatohet te Prishtina
4 December, 2018 @16:41
Thënia e famshme e trajnerit legjendat të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, se sulmi i mirë ua fiton ndeshjen, ndërsa mbrojtja e mirë kampionatin - si duket po zbatohet te Prishtina këtë stinor, ekip ky që nën drejtimin e Mirel Josës, përkundër startit jo të mirë ka mbyllur vjeshtën si lidere e stinorit.
Bardhekaltërit gjatë 17 xhirove të stinorit vjeshtor kanë pranuar vetëm katër gola në portën e tyre. Pra, mjaftojnë gishtat e njërës dorë për të numëruar kush ka arritur t’i shënojë Visar Bekajt në portë këtë stinor.
Përndryshe, golin e fundit të pranuar në Superligë, Prishtina e ka pësuar para dy muajve, kur më 6 tetor 2018 Behar Maliqi shënoi për avantazh të Llapit në “Fadil Vokrri”.
Njashtu, Prishtina është ekipi edhe me më së shumti portë të paprekur përgjatë stinorit. Nga 17 ndeshje të zhvilluara, bardhekaltërit vetëm në 4 duele kanë pranuar gola, që i bën ata liderë të listës së ekipeve me porta të paprekura, me dallim të madh krahasuar me ekipet tjera të Superligës.
Prishtina ka përfunduar si lidere e vjeshtës në Superligë me një pikë më shumë sesa Feronikeli (39) ndjekës. I vetmi ekip tjetër që mund t’iu përzihet dyshes së parë në luftë për titull pas pjesës së parë të stinorit duket të jetë Llapi, që ka 5 pikë më pak sesa bardhekaltërit liderë.