Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIRIA - TREPÇA

Tjetër fitore bindëse, Liria pranë sigurimit të barazhit

TOPSPORTI/ D. S.

Tjetër fitore bindëse, Liria pranë sigurimit të barazhit


24 April, 2022 @16:06

Fitoren e katërt rresht në Grupin A të Ligës së Parë sot Liria e ka shënuar ndaj Trepçës në “Përparim Thaqi”.

Këtë përballje skuadra prizrenase e mbylli me fitore 3-0 (Astrit Berisha 45’, Altin Aliu 72’, Liridon Fetahaj 90+3’), për ta bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të vendit të dytë, që dërgon në barazhin drejt Superligës.

Pjesa e parë kaloi me dominim të Lirisë, e cila pati 3-4 raste shumë të mira për shënim, por megjithatë porta mitrovicase mbeti e paprekur deri krejt në fund të pjesës së parë, kur Astrit Berisha shënoi për 1-0 në minutën e 45’. Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Që nga ardhja e tij në janar, Astrit Berisha ka 7 gola në 10 ndeshjet e tij të luajtura për Lirinë.

TABELA AKTUALE

Prej rasteve më të mira të mysafirëve në këtë ndeshje ishte ai i minutës së 52’, kur goli mitrovicas u mohua nga një pritje mjaft e mirë e Stewart Hawes, portierit të Lirisë.

Rreth minutës së 65’, Liria e shpërdoroi një penallti. Gjuajtjen e Liridon Fetahajt nga pika e bardhë, e priti portieri mitrovicas, për ta lënë kështu skuadrën e tij në lojë për pjesën e mbetur të kohës.

Megjithatë, shpresat Trepçës për të nxjerrë diçka nga ky takim ia humbi zëvendësuesi Altin Aliu, i cili u inkuadrua nga banka dhe më pas shënoi një supergol rreth minutës së 72’, për t’ia dhënë prizrenasve golin e sigurisë.

Krejt në fund të ndeshjes, Liria e gjeti edhe golin e tretë. Topin e kthyer nga portieri mitrovicas pas gjuajtjes së Aliut, në rrjetë e çoi Liridon Fetahaj (90+3’), për rezultatin përfundimtar 3-0.

Kur kanë mbetur edhe 3 xhiro deri në fund të sezonit, Liria ka 8 pikë më shumë se A&N e vendit të dytë, me ç‘rast skuadrës prizrenase i duhen vetëm edhe dy pikë për ta siguruar edhe matematikisht vendin e dytë, i cili dërgon në barazh drejt Superligës. Në anën tjetër, Trepça vazhdon ta rrezikojë mbetjen në Ligën e Parë sezonin tjetër.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë