CAMP NOU
Toka e bekuar!
27 February, 2013 @9:14
Njeriu që shënoi dy gola në ndeshjen e mbrëmshme, duke e eliminuar Barcelonën nga Kupa e Mbretit, Cristiano Ronaldo, ka qenë tejmase i kënaqur me lojën e bashkëlojtarëve të tij.
“Kemi luajtur shumë mirë që nga minuta e parë, e deri në minutën e fundit të ndeshjes. Këtu (Camp Nou v.j.) çdokush nuk mund t’i shënojë tre gola. Kemi pasur paraqitje të mrekullueshme, për të cilën i falenderoj të gjithë bashkëlojtarët,” kanë qenë fjalët e para të Cristiano Ronaldos, ylli të ndeshjes që dërgoi Real Madridin në finale të Kupës.
Stadiumi i Barcelonës, Camp Nou, si duket është tokë e bekuar për futbollistin më të mirë të madrilenëve. Në gjashtë El Clasicot e fundit të zhvilluara këtu, ai ka shënuar, ndërsa në përgjithësi ka shënuar tetë gola në terrenin katalonas.
“Jam komfor në këtë terren. Kam pasur ndihmën e të gjithë shokëve në fushë, mirëpo edhe loja kundër Barcelonës të jep motivim shtesë. Ndërsa të jesh në librat e historisë për shënim të kaq golave me radhë në Camp Nou është një gjë e mirë,” ka thënë Cristiano Ronaldo për faqen zyrtare të madrilenëve.