TOP 10

Top 10 transferet e janarit
1 February, 2014 @21:45
10. Lewis Holtby
Nga Tottenhami në Fulham. Mesfushori gjerman i cili ishte transferuar në janarin e vitit të kaluar në Tottenham nga skuadra e Schalkes, nuk arriti të ketë minutazhë të mjaftueshëm këtë stinor. Futbollisti 23 vjeçar vendosi të largohet nga Tottenhami për të kaluar në radhët e ekipit Fulham në formë të huazimit.
9. Diego
Nga Wolfsburgu në Atletico Madrid. Braziliani i Wolfsburgut është rikthyer te skuadra në të cilën ishte huazuar gjatë stinorit 2011/2012. Transferimi i Diegos në Vicente Calderon llogaritet njëra prej lëvizjeve më të rëndësishme në Spanjë gjatë afatit të janarit.
8. Pablo Osvaldo
Nga Southampton në Juventus. Goditja më e madhe e kampionit të Italisë është transferimi i Pablo Osvaldos nga Southamptoni. Reprezentuesi italian është rikthyer në Serie A pas një aventure 4-5 mujore në Premier League. Sulmuesi kontraverz i cili u huazua deri në fund të këtij stinori, do ta mundohet të gjejë sa më shumë hapësirë në sulmin e torinezëve që përbëhet nga lojtarë si Fernando Llorente, Fabio Quagliarella, Carlos Tevez, Sebastian Giovinco dhe Mirko Vucinic.
7. Hernanes
Nga Lazio në Inter. Mesfushori brazilian i kushtoi Interit rreth 20 milionë euro. Kaltërezinjtë së bashku me Hernanesin dhe dy përforcimet e tjera të janarit, Danilo D’Ambrosio dhe Ruben Botta , shpresojnë që të kenë ditë më të mira në Serie A. Futbollisti 28 vjeçar këtë stinor ka realizuar 3 gola dhe 2 asistime në 17 paraqitje me Lazion në elitën italiane.
6. Yohan Cabaye
Nga Newcastle United në Paris Saint Germain. Yohan Cabaye është përforcimi i vetëm i skuadrës më ‘dorëlirë’ në vitet e fundit, Paris Saint Germain. Mirëpo, megjithëse skuadra françeze bëri vetëm një transferim në këtë afat kalimtar, nga arka e saj dolën diku rreth 25 milionë euro, shumë kjo e cila kaloi në llogarinë e Newcastle-it.
5. Aiden McGeady
Nga Spartak Moscow në Everton. Mesfusha e Evertonit në vazhdim të stinorit do ta ketë ndihmën edhe të ish futbollistit të Spartakut dhe Celtic-ut, Aiden McGeady. Mesfushori i krahut të djathtë i kushtoi Evertonit diku rreth 2 milionë euro, gjë që tregon se vlera e tij ka rënë dukshëm në krahasim me vitin 2010 kur ishte tranferuar nga Celticu në Spartak për 12 milionë euro.
4. Mohamed Salah
Nga Baseli në Chelsea. Nga një gol në dy ndeshje të Ligës së Kampionëve pikërisht përballë Chelseat, i ka mjaftuar 21 vjeçarit të Baselit, Mohamed Salah, për t’i rënë në sytë e strategut portugez, Jose Mourinho. Ekipi londinez për shërbimet e egjiptasit ka shpenzuar plotë 13.2 milionë euro.
3. Radja Nainggolan
Nga Cagliari në Roma. Skuadra e Romës ka shënuar dy fitore gjatë muajit janar kundër Juventusit. Fitorja e parë ishte në kuadër të Kupës së Italisë, ndërsa fitorja e dytë ishte transferimi i Radja Nainggolan, i cili ishte i kërkuar gjithuashtu nga Zonja e Vjetër. Ekipi nga kryeqyteti italian ka pranuar që të paguaj 3 milionë euro Cagliarit vetëm për ta huazuar deri në fund të këtij stinori mesfushorin belg.
2. Keisuke Honda
Nga CSKA Moscow në Milan. Në politikën perfekte të Milanit për transferimin e lojtarëve pa dëmshpërblim është përfshirë edhe ‘magjistari’ japonez, Keisuke Honda. Mesfushori ofansiv do të jetë njëri nga armët kryesore të kryetrajnerit të rosonerëve, Clarence Seedorf.
1. Juan Mata
Nga Chelsea në Manchester United. Pozita e parë lirisht mund të thuhet se është pozita e vetme nga kjo listë që nuk kishte asnjë dilemë se cili transferim do të ishte i pari. Transferimi nga Chelsea në Manchester United për hiq më pak se 45 milionë euro e Juan Matas, pa dyshim se e meriton kreun e kësaj liste. Spanjolli i cili nuk kishte hapësirë të mjaftueshme në Chelsea, i tregoi vlerat e tij që në ndeshjen e tij të parë, kur debutoi kundër Cardiffit duke qenë asistues në golin e dytë, e më pas edhe ia lëshoi vendin talentit kosovar, Adnan Januzaj.
*Lista e TOP 10 transferimeve të afatit të janarit në Europë është bazuar nga faqja goal.com.