5 PËR VIKEND
TOP 5 ndeshjet e fundjavës
Shkruan: LUAN MORINA
25 August, 2017 @15:18
Pesë ndeshjet e javës të përzgjedhura me kujdes. Duele të mëdha që pritet të sjellin kënaqësi këtë fundjavë.
1. Manchester Utd – Leicester City (e shtunë, ora 6e30)
Djajtë e kuq e kanë nisur për mësysh sezonin. Nga katër gola në ndeshje, një statistikë që mund të vazhdoj edhe këtë javë. Leicesteri ka pranuar pa nevojë shumë gola kundër Arsenalit, dhe atë kryesisht si pasojë e mbrojtjes joserioze në pjesën e dytë.
Harry Maguire del të jetë transferim i përkryer për ta, por me thashetheme për largime eventuale, dhe një mesfushë larg asaj të para dy viteve, e kanë problem të stabilizohen. Në anën tjetër Manchester United mund të përfundoj një gusht të përkryer para se të nis sezonin ‘përnime’.
2. Roma – Inter (e shtunë, ora 15n9)
Spalletti kthehet në folenë ku arriti sukseset më të mëdha. Derisa për mua vazhdon të mbetet një trajner ‘nënkampion’ i paaftë për të fituar tituj, Interi ka një ekip që mund dhe duhet të konkurroj pozitën e katërt. Kanë mbledhur disa emra ndoshta pak të njohur, por jo për tu nënçmuar.
Ngjashëm ka bërë edhe Roma, por me një trajner që ka veshur këpuca të mëdhenjsh për herë të parë, ju duhet pak durim. Përballjet e këtyre dy ekipeve gjithnjë kanë qenë atraktive me shumë gola. Shpresojmë të ndodh e njëjta gjë përsëri.
3. Chelsea – Everton (e diel, ora 2e30)
Chelsea është këndellur para kohe. Një lemzë momentale duket se ka qenë ajo me Burnley. Nuk kanë ekip të thellë, përkundër të gjithë të huazuarve që mbajnë larg ‘Stamford Bridge’. Do të jetë interesante të shohim si do të veprojnë kur të nisin garat evropiane dhe të afrohet janari.
Edhe më vështirë do të jetë për Evertonin të cilët duhet të udhëtojnë deri në Qipro dhe të kthehen për të zhvilluar ndeshjet e Premier League për më pak se 48 orë. Megjithatë Evertoni ka ekip që duhet të sfidoj gjashtëshen e madhe dhe këtë duhet ta dëshmojnë edhe këtë të diel.
4. Liverpool – Arsenal (e diel, ora 5)
Deri të dielën mund të zgjidhet çështja e VVD (Virgil van Dijk). Nëse Arsenali ia del disi të marr holandezin, mbrojtja e tyre do të ngrihet goxha shumë në cilësi. Por, me formacionet aktuale, janë disi të barabarta në cilësi. Dhe kjo është arsye për të pasur një super-ndeshje.
Liverpooli ka qenë i përkryer ndaj Hoffenheimit. Në Premier League këto javët e para kanë vuajtur pak më shumë, ose për të shënuar, ose për tu mbrojtur. Problemin kryesor, përgjatë sezonit nëse nuk ka transferime, do ta kenë në pjesën defensive që të dyja. Kjo më shton bindjen se mund të shohim shumë gola.
5. Monaco – Marseille (e diel, ora 9)
Java në Ligue 1 nis me klasiken ndërmjet PSG dhe Saint-Etienne. Me ardhjen e Mbappes, PSG seriozisht rrezikon FFP (fair-playin financiar), por edhe finalen e Ligës së Kampionëve. E pa Mbappen, Monaco s’do të mbetet keq. Jo me milionat që do të marrin nga shitja e tij si dhe njërin nga krahët e talentuar të PSG.
Monaco ka qenë e mirë ndeshjeve të fundit. Kanë nisur paksa me probleme për të çarë rezultatin, por duket se kanë kaluar këtë krizë. Dhe kjo do të përmirësohet me adaptimin e lojtarëve të rinj në ekip. Ndërkohë Marseille ka mbledhur një grup emrash të njohur për futbollin francez, por akoma nuk janë të adaptuar në lojë. Do të jetë një duel talentesh dhe pensionerësh me pak fjalë.