ZYRTARIZIMI
Torres i lumtur me kthimin në Madrid
29 December, 2014 @15:18
Ylli spanjoll, Fernando Torres, është shprehur të jetë i lumtur që po i kthehet ekipit ku ia nisi karrierën - Atletico Madrid.
Marrëveshja ndërmjet Milanit dhe Atletico Madridit është arritur për huazimin e tij deri në fund të stinorit të ardhshëm, derisa zyrtarizimi pritet të bëhet më 5 janar, kur hapet afati kalimtar në Itali.
“Fernando Torres kthehet në Atletico Madrid pas marrëveshjes ndërmjet klubit tonë dhe Milanit, derisa sulmuesi në fjalë do të luaj për një stinor e gjysmë në ekip si huazim,” shkruan në njoftimin zyrtar të kampionit të Spanjës sot.
Fernando Torres kaloi në verën e vitit 2007 te Liverpool nga Atletico Madrid. Si rekord transfer i Anglisë nga Liverpool shkoi në Chelsea, ku asnjëherë nuk arriti të tregohet si te ekipet e kaluara të tij dhe këtë stinor përfundoi në Milan.
“Ndjehem i privilegjuar që kam rastin të kthehem aty ku bëra emër. Dua të kënaqem duke stërvitur dhe duke luajtur përsëri me ekipin tim,” është shprehur Torres.